Lidhje

Maqedoni: kallëzim penal kundër kryeministrit Gruevski


Në Maqedoni, Lidhja Social Demokrate ka ngritur kallëzim penal kundër kryeministrit të vendit Nikolla Gruevski dhe kundër drejtorit të shërbimit sekret, Sasho Mijallkov lidhur me përgjimet masive, sipas partisë, të mbi njëzet mijë qytetarëve të vendit.

Opozita maqedonase ka kërkuar përgjegjësi edhe nga ministrja e Rendit Gordana Jankullovska.

Opozita, përmes një nisme të quajtur Drejtësi për Maqedoninë, synon të nxjerr në shesh përmes materialeve për të cilat thotë se i ka, veprimet kriminale, sipas saj, të zyrtarëve të lartë të shtetit. Por deri tash, partia ka publikuar disa audio-regjistrime të parëndësishme; të dy ministrave në qeverinë Gruevski duke biseduar midis tyre dhe të vetë drejtuesit opozitar Zoran Zaev me një gazetare, si dhe të kryetarëve të tre partive politike shqiptare me bashkëpunëtorë të tyre.

Ka reaguar dhe presidenti i vendit Gjorgje Ivanov përmes një komunikate ku thuhet se mbështet organet shtetërore në hetimet e ngjarjeve për të parë nëse aktiviteti i tillë është në kundërshtim me kushtetutën dhe njëkohësisht autorët e veprës penale të përgjimeve të sanksionohen sipas ligjit.

Ndërkohë, Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, ka theksuar nevojën e përfshirjes së faktorëve apo ekspertëve ndërkombëtarë në zgjidhjen e çështjes.

“Ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të krijojë një komision politik dhe ekspertë të fushës, em qëllim që ky proces të ketë besueshmëri tek të gjithë qytetarët e Maqedonisë dhe të heqë çdo dyshim mbi trajtimin e këtij procesi, tha zoti Ahmeti pas takimit që pati me ambasadorin e Bashkimit Evropian Aivo Orav.

Zoti Ahmeti, partia e të cilit bën pjesë në koalicionin qeveritar, tha se ngjarje të këtilla kanë ndodhur në vende shumë më të zhvilluara se Maqedonia.

Ndërkohë, edhe Partia Demokratike Shqiptare kërkon përfshirjen e faktorëve ndërkombëtarë në zbardhjen e këtij skandali. Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçiështë shprehur, sipas një komunikate nga zyra e tij, se drejtuesit e PDSH-së qysh nga viti ’93 janë ndjekur dhe përgjuar dhe se asnjë individ asnjëherë nuk ka dhënë për këtë llogari para drejtësisë.

Ndërkaq, partia VMRO-DPMNE e kryeministrit Gruevski e auzon drejtuesin opozitar Zoran Zaev si bashkëpunëtor të shërbimeve të huaja sekrete duke thënë se janë ato që kanë bërë regjistrime ose montazhe të bisedave telefonike të personaliteteve këtu në Maqedoni. Media e afërt me VMRO-në aludon në një kryeministër dhe një ambasador të huaj, pa saktësuar se kush janë ata, si të ndërlikuar në spiunazh në dobi të Zoran Zaevit.

Por ky i fundit ngul këmbë se materialet i ka marrë nga njerëz të shërbmit sekret maqedonas, “të cilët nuk kanë mundur të durojnë më veprimet e jashtligjshme të pushtetit”. Mjete të informimit të afërta me Lidhjen Zocial Demokrate të opozitës shkruajnë për pesë agjentë sekretë maqedonas, pa ua bërë publik emrat, t’ia kenë dorëzuar materialet opozitës dhe të jenë larguar me familjet e tyre jashtë shtetit.

XS
SM
MD
LG