Lidhje

Maqedoni: Vazhdon publikimi i bisedave të përgjuara


Opozita maqedonase vazhdoi edhe sot me publikimin e bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve të lartë të pushtetit.
Kryetari i komunës Qendër të Shkupit Andrej Zhernovski, i cili deri para pak muajsh ishte edhe kryetar i Partisë Liberal-Demokrate, publikoi bisedat e disa ministrave që flasin midis tyre ose me kryeministrin Nikolla Gruevski apo me shefin e Shërbimit sekret Sasho Mijallkov për të bërë plane për manipulimin e procesit të zjedhjeve të kaluara vendore në këtë komunë të Shkupit, ku opozita maqedonase ka pasur gjithmonë mbështetje të madhe.
Zyrtarët qeveritarë dëgjohen duke planifikuar, mes tjerash, prishjen e ashensorëve të disa ndërtesave që të mos mund të dalin votuesit më të moshuar për të votuar
Po sot, ambasadori amerikan në Shkup Jess Baily vizitoi komunën Qendër ku u prit nga kryetari Zhernovski. Ambasadori nuk ka folur mbi skandalin e përgjimeve, ndërkohë që drejtuesi i komunës Qendër u tha mjeteve të informimit se si hap i parë për zgjdhjen e krizës do të ishte emërimi i një prokurori të pavarur dhe një mbikqyrje nga jashtë e gjithë procesit.
Skandali i përgjimeve e ka thelluar edhe më shumë krizën politike në Maqedoni. Komuniteti ndërkombëtar po e ndjek me shqetësim gjendjen, ndërsa shtohet skepticizmi lidhur me afrimin e këtij vendi drejt strukturave euro-atlantike.
Mjetet e informimit në Shkup shkruajnë se Holanda ka paralajmëruar rishikimin e ftesës për antarësimin e Maqedonisë në Nato, nëse vendi nuk mbështet proceset demokratike.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG