Lidhje

Dështojnë bisedimet për zgjidhjen e krizës në Maqedoni

  • Isak Ramadani

Mese 12 orë bisedime të ndërmjetësuara nga Komisioni Evropian, përfunduan pa ndonjë rezultat.

Kanë dështuar bisedimet në Bruksel ndërmjet drejtuesve të katër partive më të mëdha në Maqedoni. Kryetari i Lidhjes Social Demokrate në opozitë, Zoran Zaev, nuk ka lëshuar pé në lidhje me kërkesat për një qeveri të përkohshme, se kush do ta drejtonte dhe në ç’afat do të duhej formuar ajo. Opozita maqedonase nuk pranon asnjë lloj formati të qeverisë që do të drejtohej nga kryeministri aktual, Nikolla Gruevski.

Takimi që filloi para orës 12 të së mërkurës, ka zgjatur deri para mesnate dhe gjatë kësaj kohe nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar për rrjedhën e bisedimeve.

Bashkimi Evropian u bën thirrje të gjitha partive që në interes të vendit të tyre dhe të qytetarëve, të gjejnë pa vonesë një kompromis afatgjatë politik dhe të dalin me propozime konkrete, mbi bazë të marrëveshjes së arritur në Shkup, më 2 qershor. Zotimet e drejtuesve partiakë duhet të zbatohen me urgjencë, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Komisioni Evropian, ndërsa theksohet si çështje thelbësore përparimi i Maqedonisë drejt rrugës Euro-Atlantike. Komisioni mbetet i gatshëm të ndihmojë lehtësimin e bisedimeve.

Ky dështim i bisedimeve për gjetjen e një zgjidhjeje për t’i dhënë fund krizës politike që ka përfshirë Maqedoninë tash katër muaj, në Shkup shihet edhe si dështim i përpjekjeve të Bashkimit Evropian dhe komisionarit Johannes Hahn, i cili ishte vënë në rolin e ndërmjetësit midis palëve.

Kryeministri Nikolla Gruevski, i cili njëherësh drejton partinë VMRO-DPMNE, Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social Demokrate, Ali Ahmeti i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, patën rënë dakord javën e kaluar në Shkup, për zgjedhje të parakohshme, por opozita maqedonase ngul këmbë që këto zgjedhje të organizohen nga një qeveri teknike ose e përkohshme dhe kjo të bëhet brenda një afati më të shkurtër kohor.

Komisionari Hahn pas fillimit të takimit të së mërkurës shkroi në rrjetet sociale se shpresonte që kjo të ishte një ditë e mirë për të ardhmen e Maqedonisë. Por, në mesnatë ai shkroi në twitter se ishte “i dëshpëruar me mungesën e përgjegjësisë” së një pjese të politikanëve nga Maqedonia.

Drejtuesi opozitar Zoran Zaev para nisjes për në Bruksel i kishte thënë shtypit maqedonas se vetëm një qeveri e përkohshme pa zotin Gruevski mund të organizojë zgjedhjet parlamentare. Ai ka pranuar se qëndrimet janë skajshmërisht të kundërta në mes opozitës dhe pushtetit, ndërkohë që mendon se argumentet janë në anën e opozitës për shkak se “synimi i përgjithshëm është që të ketë zgjedhje të drejta dhe demokratike në Maqedoni”.

Dështimi i bisedimeve mund të ketë pasoja, sipas vetë aktorëve politikë, për afrimin e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian, përkatësisht vendi mund të rrezikojë humbjen e rekomandimit në raportin e progresit që do të dalë në muajin tetor, për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve me BE-në.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit politik shqiptarë Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi në Bruksel shkuan për të paraqitur kërkesat mbi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, përkatësisht për avancimin e statusit juridik-kushtetues të shqiptarëve të Maqedonisë, megjithëse është e qartë se çështja e këtyre bisedimeve është krijimi i kushteve për zgjedhje të parakohshme që do të mbaheshin deri në muajin prill të vitit 2016.

Në bisedimet në Bruksel ishin edhe ambasadorët nismëtarë për zgjidhjen e krizës, ai i Shteteve të Bashkuara Jess Baily dhe i Bashkimit Evropian Aivo Orav, ndërkohë që komisionerit Hahn i ndihmonte edhe deputeti i Parlamentit Evropian, slloveni Ivo Vajgël.

Zgjedhjeve të parakohshme duhet t’u paraprijnë reforma ligjore, si ndryshimet e Kodit zgjedhor, pastrimi i listave të votuesve, një problem që është përsëritur gjatë çdo cikli zgjedhor, pastaj pavarësia e gjyqësorit dhe liria e medies.

Njohësit e rrethanave politike vlerësonin se komisionari Hahn do të këmbëngulte që të paktën të shënohet një lloj suksesi ose përparimi nga takimi i së mërkurës. Analistët, megjithatë vlerësojnë se zgjidhja nuk do të jetë e shpejtë dhe në këtë rast Bashkimit Evropian do t’i duhet të dërgojë një përfaqësues të posaçëm në Maqedoni për të lehtësuar bisedimet, apo këtë ta bëjë edhe administrata amerikane duke dërguar një emisar që do të ndërmjetësonte në problemet e këtij vendi.

XS
SM
MD
LG