Lidhje

Maqedoni: Kërcënim ndaj gazetarit Borjan Jovanovski

  • Isak Ramadani

Në Maqedoni, gazetarët protestuan sot para selisë së qeverisë, pasi një kurorë funerali ishte dërguar në shtëpinë e gazetarit Borjan Jovanovski, një kritik i ashpër i qeverisë, gjë që u konsiderua një kërcënim ndaj jetës së tij.

Pjesëtarët e protestës hodhën para ndërtesës së qeverisë një kurorë të ngjashme me atë që ishte vendosur dje në hyrje të banesës së gazetarit Jovanovski në Shkup. Ai është dhe korrespondent i redaksisë maqedonase të Zërit të Amerikës.

Gazetarja dhe bashkëpunëtorja e zotit Jovanovski në televizionin Nova, Biljana Sekullovska kërkoi që ai të vihet në mbrojtje të policisë, dhe shtoi se nëse nuk i sigurohet mbrojtja, atëherë pushteti do të fajësohet për incidentin.

Gazetarët - protestues thonë se qeveria ka krijuar kushtet që dikush të marrë guximin dhe të kërcënojë me vdekje pjesëtarët e medis në këtë vend.

Pas këtij incidenti kanë reaguar edhe shoqëria civile, shoqata të gazetarëve dhe vetë partia VMRO-DPMNE në pushtet.

Gjendja e medias dhe e punonjësve të medias në Maqedoni vlerësohet si mjaft e vështirë në këto vitet e fundit, dhe Komisioni Evropian ka reaguar në disa raporte vjetore për këtë gjednje. Edhe organizatat e tjera ndërkomëbtare kanë kërkuar nga autoritetet maqedonase respektimin e fjalës së lirë dhe mjeteve të lira të informimit.

Një gazetar i njohur maqedonas humbi jetën para dy vitesh në një aksident të pasqaruar mirë dhe të shoqëruar nga dyshime. Dhe vetëm para pak ditësh Komisioni i Lustracionit shpalli një gazetare tjetër maqedonase për bashkëpunëtore të shërbimit sekret, që nga një pjesë e opinionit publik dhe medias u vlerësua si trysni kundër gazetarëve.

Incidenti vjen ndërkohë që Maqedonia është zhytur në një krizë politike shkaktuar nga skandali i përgjimeve, përmbajtjen e të cilave e ka bërë publike udhëheqësi i opozitës Zoran Zaev I cili thotë se ato janë kryer nga qeveria dhe që kritikët thonë se provojnë se shteti ushtron kontroll të gjerë ndaj medias, gjykatësve dhe procesit zgjedhor.

XS
SM
MD
LG