Lidhje

Maqedoni: Ambasada e SHBA e shqetësuar për mungesën e reformave


Ambasada amerikane në Shkup është shprehur e shqetësuar për shkak se partitë politike në Maqedoni nuk e respektuan afatin që deri më 20 tetor të realizoheshin reformat e parashikuara. Ambasada inkurajon qeverinë që të vazhdojë dhe brenda një kohe më të shpejtë të zbatojë reforma serioze në mënyrë që të themelohen institucionet e pavarura, të cilat do ta përcaktojnë përgjegjësinë lidhur me përgjimet ilegale dhe që do t’i hetojnë akuzat që dalin nga ato.
Në një prononcim, lidhur me atë që media në Shkup ka spekulluar mbi mundësinë e përfshirjes në ato që njihen si “lista të zeza” të politikanëve maqedonas, të cilët bllokojnë reformat, Ambasada amerikane ka lënë të kuptohet se sipas ligjit të SHBA-së, evidentimi lidhur me vizat është një çështje e besueshme dhe nuk mund të komentohet mbi raste individuale që kanë të bëjnë me vizat.
Ambasada, ndërkohë nënvizon arritjen e Marrëveshjes së njohur si e “Përzhinës”, që paraqet, sipas saj, një udhërrëfyes të mirë për daljen nga kriza, dhe që është garanci për zgjedhje demokratike në prill të vitit të ardhshëm.
“Partitë lëshuan një afat të rëndësishëm për t’u marrë vesh mbi çështje serioze që kanë të bëjnë me qeverinë, me mbrojtjen e denoncuesëve dhe mbrojtjen e privacisë. Shpresojmë që me vazhdimin e punës së grupeve të punës, të gjitha palët do t’i vendosin në vend të parë interesat e qytetarëve dhe do t’u përkushtohen proceseve euro-atlantike të Maqedonisë”, thekson Ambasada amerikane në Shkup.
Ndërkohë Komisioni Evropian kërkon që katër drejtuesit e partive kryesore në Maqedoni t’i vazhdojnë sa më parë bisedimet për realizimin e reformave që dalin nga Marrëveshja e 2 qershorit, në mënyrë që të mos humbet më shumë kohë. Zëdhënësja e Komisionit, Maja Kocijançiç duke folur në Bruksel, ka thënë se komisioneri Johannes Hahn ka bërë me dije për dëshpërimin e tij pas mos-suksesit në bisedimet e fundit, ndërkohë që u ka bërë thirrje nënshkruesve të Marrëveshjes së Përzhinës që të tregojnë aftësi drejtuesish dhe përgjegjësi.

Zëdhënësja Kocijançiç ka theksuar rëndësinë e zbatimit të zotimeve nga Marrëveshja, ndërkohë që është shprehur se ‘BE ndjen keqardhje për shkak të përpjekjeve për shpërqendrimin e vëmendjes nga thelbi i çështjeve, duke sulmuar ata të cilët po përpiqen të ndihmojnë’.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG