Lidhje

Maqedoni, akuzat ndaj drejtuesit opozitar Zaev

  • Isak Ramadani

Gjykata Penale në Shkup për disa orë ka diskutuar të hënën në lidhje me kërkesën e drejtuesit opozitar Zoran Zaev për hedhjen poshtë të akuzave kundër tij. Prokuroria maqedonase e akuzon zotin Zaev për përdorim të dhunës kundër përfaqësuesve të organeve më të larta të shtetit ndërsa bashkëpunëtorët e tij – për spiunazh. Pala mbrojtëse e zotit Zaev thotë se veprimet e tij nuk përbëjnë vepër penale kundër shtetit. Gjykata pritet të marrë një vendim brenda ditëve që vijnë.


Zoran Zaev dhe opozita për disa muaj rresht kanë publikuar biseda të përgjuara telefonike ku pretendohet se zyrtarë të lartë qeveritarë flasin për manipulime dhe shpërdorime.

Rasti i njohur si “Puç” nga organet hetuese dhe në opinionin publik të Maqedonisë, ku akuzohet drejtuesi opozitar Zoran Zaev dhe katër persona të tjerë, ka vënë në sprovë gjyqësorin e vendit. Në këtë vend ku sa vjen e shtohen vërejtjet e institucioneve ndërkombëtare mbi kontrollin nga pushteti të gjyqësorit, por dhe për shkallën e lartë të korrupsionit, akuzat për dhunë dhe spiunazh kundër personaliteteve politike, për një numër analistësh por dhe ekspertësh ligjorë, nuk paraqesin ndonjë të papritur, në një kohë kur Maqëdonia po prballt me skandalin e madh të përgjimeve.

Zoran Zaev akuzohet për dhunë kundër përfaqësuesve të organeve më të larta shtetërore; ish-drejtori i Agjensisë së Sigurisë dhe Kundërzbilimit, Zoran Verushevski akuzohet për spiunazh, për përgjim të paligjshëm dhe dhunë kundër përfaqësuesve të organeve më të larta shtetërore dhe së bashku me gruan e tij ndodhen në paraburgim për akuzat e njejta. Poashtu një bashkëpunëtor i zotit Zaev ndodhet në burg në pritje të vendimit gjyqsor, ndërsa një pjesëtar i policisë sekrete ka pranuar akuzat kundër tij dhe është dënuar me procedurë të shpejtë me tre vjet burg. Ky i fundit është kthyer në dëshmitar të këtij procesi.

Ndërkohë, drejtuesi opozitar Zaev vëren se në aktakuzë nuk qëndrojnë fjalët “shërbime të huaja sekrete”, ndërsa një person është dënuar për spiunazh, që është e palogjikshme sipas tij, sepse spiunazhi, sipas ligjit, ndërlidhet me një institucion a shërbim të huaj sekret.

Nga ana tjetër, kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski vazhdon ta akuzojë rivalin e tij Zoran Zaev si bashkëpunëtor të shërbimeve të huaja sekrete, por pa saktësuar ndonjë shërbim konkret dhe për montazhin, prerjen dhe ngjitjen e shiritave të bisedave telefonike të zyrtarëve të lartë qeveritarë.

Opozita për katër muaj ka publikuar biseda të përgjuara telefonike ku pretendohet se dëgjohen zërat e kryeministrit, disa ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë duke folur për manipulime të ndryshme të zgjedhjeve, gjyqsorit, medias e biznesit.

Kriza politike, si pasojë e gjithë kësaj, nuk po mund të gjejë ende një zgidhje. Të marten në Shkup do të vijë Komisioneri për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerim të Bashkimit Evropian, Johanes Hahn dhe tre deputetët e Parlamentit Evropian në cilësinë e lehtësuesve, siç thuhet këtu, të bisedimeve ndërmjet katër drejtuesve të partive më të mëdha. Megjithatë, analistët nuk presin ndonjë përparim të madh drejt zgjidhjes së krizës.

Opozita maqedonase ngul këmbë për formimin e një qeverie të përkohshme pa Nikolla Gruevskin në krye të saj, ndërsa ky i fundit thotë se qeverinë mund ta formojë vetëm ajo parti e cila fiton votat në zgjedhje.

Partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike duket se mbështesin qëndrimet e VMRO-DPMNE-së dhe Nikolla Gruevskit në lidhje me këtë.

XS
SM
MD
LG