Lidhje

Magjia e Hillary Clintonit


Zgjedhjet e ardhshme presidenciale amerikane do të zhvillohen pas rreth dy vjetësh, por çdo diskutim rreth pretendentëve të mundshëm mes demokratëve fillon me ish Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton. Clinton ka një epërsi në anketat e opinionit dhe pritet të vendosë në se do të garojë për në Shtëpinë e Bardhë deri në fund të këtij viti. Vetëm mundësia e kandidaturës së saj ka një ndikim të madh në garën e vitit 2016.

Ajo mund të mos jetë duke garuar ende, por Hillary Clinton ka mbajtur fjalime, ka kënduar me nxënësit e shkollave dhe po përgatitet për t’u bërë gjyshe pas njoftimit të së bijës Chelsea:

“Jemi shumë të lumtur për atë që presim për familjen tonë .”

Asaj i është dashur gjithashtu të shmangë ndonjë këpucë të hedhur nga kritikët.

Megjithatë Hillary Clinton mbetet e rezervuar për të ardhmen e saj politike. Por në fjalimet e fundit ajo vazhdon të jetë një mbrojtëse e fuqishme e çështjes së grave:

“Besoj se përmirësimi i të drejtave, mundësive dhe pjesëmarrja e plotë e grave dhe vajzave këtu dhe në mbarë botën mbetet një biznes i papërfunduar në shekullin e 21-të.”

Në se hyn në garë, kjo do të ishte e shkëlqyer, thotë eksperti John Sides me universitetin George Washington.

“Ajo është ndoshta e pozicionuara më mire për të siguruar emërimin e demokratëve në një vit pa asnjë rival tjetër si asnjë kandidat i mëparshëm. Në fakt gara është vetëm e saj në se do të garojë.”

Pyejta, thotë ai, është në se ajo do ta provojë përsëri pas humbjes së trishtueshme në zgjedhjet paraprake të 2008-ës ndaj Barack Obamës.

“Ajo njihet nga shumë votues. Nuk mendoj se duhet të shqetësohet për imazhin dhe e gjitha do të varet në se ajo mendon se ka forcën dhe dëshirën e duhur për t’i hyrë kësaj rruge.”

Por si pretendente kryesore ajo do të jetë në qendër të sulmeve, thotë analisti Stephen Hess.

“Në se je në krye, të gjithë të sulmojnë, jo vetëm kandidatët e mundshëm por edhe media. Pra ajo është në një pozicion shumë të ekspozuar. Nga ana tjetër, ky është një pozicion shumë i mirë për të grumbulluar fonde dhe ky aspekt është shumë i rëndësishëm në politikën presidenciale.”


Në se garon, zonja Clinton do të përballet me më shumë pyetje për sulmin terrorist të vitit 2012 në misionin amerikan në Benghazi të Libisë, përfshi ato nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner:

“Katër amerikanë gjetën vdekjen në Benghazi dhe familjet e tyre meritojnë të vërtetën rreth asaj që ndodhi dhe administrata refuzoi t’u tregojë atyre të vërtetën.”

Por ky incident duket se nuk ka arritur të prekë popullaritetin e zonjës Clinton, thotë analisti Karlyn Bowman.

“I kam parë të gjitha pyetjet e anketave dhe për Hillary Clintonin ka të paktën disa mijëra. Ajo është një personazh shumë i pëlqyer në se e shikon të gjithë udhëtimin e saj që nga viti 1992.”

Libri i zonjës Clinton, që flet për kohën që shërbeu si sekretare shteti, me titullin Hard Choices,”Zgjedhjet e Vështira” del në qarkullim në qershor.
XS
SM
MD
LG