Lidhje

Deputetë të shumicës, shkarkim për zyrtaren

  • Armand Mero

Në Shqipëri, 51 deputetë të shumicës së majtë kanë firmosur kërkesën drejtuar parlamentit për shkarkimin e drejtueses së Inspektoriatit të Lartë të verifikimit të pasurive të zyrtarëve të lartë shtetëror Zana Xhuka

Kërkesa e cila i është dorëzuar kryetarit të parlamentit, do të shqyrtohet nga komisioni i Ligjeve. Ky komision ka votuar edhe më parë për shkarkimin e zonjës Xhuka pas një raporti të një grupi deputetësh të ngarkuar për verifikimin e veprimtarisë së këtij Institucioni, sipas të cilit ishin gjetur shkelje të shumta.

Në kërkesën e tanishme, përvec shkeljeve të pretenduara, deputetët firmatarë theksojnë se edhe emërimi i drejtueses së Inspektoriatit në fund të 2012, është bërë në shkelje të kërkesave të parashikuara në ligj.

Përpara se të merret një vendim, zonja Xhuka është thirrur të martën e ardhshme në Komisionin e Ligjeve që të mbrojë pozicionin e saj. Opozita e djathtë e ka kundërshtuar “sulmin” që sipas saj është ndërmarrë ndaj kryeinspektores, duke e cilësuar atë si “pjesë e përpjekjeve të shumicës për të vënë nën kontroll institucionet e pavarura”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG