Lidhje

“Makina e Big Bengut”, një nga temat e konferencës së Parisit për fizikën e lartë

  • Sonja Pejs

“Makina e Big Bengut”, një nga temat e konferencës së Parisit për fizikën e lartë

“Makina e Big Bengut”, një nga temat e konferencës së Parisit për fizikën e lartë

Një grup shkencëtarësh u takuan nga 22 deri më 28 korrik në Paris për konferencën e fizikës së energjisë së lartë. Ndër temat dhe arritjet që u paraqiten ishin Akseleratori i Madh i Hedroneve, i njohur ndryshe me emrin “Makina e Big Bengut”. Çështjet ishin të ndërlikuara, ishin diskutime mes shkencëtarëve. Por a kanë ato vlerë edhe për publikun e gjerë?

Ky është një komunitet i përzgjedhur. Janë diçka më shumë se 10 mijë shkencëtarë nga fusha e fizikës së grimcave elementare, të cilët studiojnë thërrmijat më të vogla të lëndës dhe energjisë në gjithësi, përmbajtjen e tyre dhe mënyrën sesi ndërveprojnë.

Në konferencën e sivjetshme, shkencëtarët nga Qendra Evropiane për Studime Bërthamore paraqitën arritjet e tyre nga eksperimentet e kryera në Akseleratorin e Madh të Hadroneve që ndodhet në afërsi të Gjenevës. Makina gjigante e vendosur 100 metra nën tokë emeton rreze me grimca protonesh, të cilat kalojnë nëpër tunele me shpejtësi shumë të lartë dhe kështu disa prej tyre ndeshen njëra me tjetrën. Profesor Xho Inkandela, zëvendës-shef i eksperimentit kryesor pranë Akseleratorit, shpjegon:

“Ne po përpiqemi të realizojmë përplasje me nivel shumë të lartë energjie dhe kjo çliron energji që transformohet në grimca të reja. Ne duam t’i studiojmë këto grimca të reja dhe arsyeja është se grimcat, të cilat as që ekzistojnë në botën reale dhe që natyrisht nuk i shohim por që mund të ekzistojnë, në fakt ndikojnë në mënyrën se si funksionon gjithësia”.

Akseleratori i Madh shpesh quhet “Makina e Big Bengut” sepse kërkon të rikrijojë energjinë që ishte e pranishme brenda një fraksioni sekonde pas të ashtuquajturit “Big Beng”, çasti kur shkencëtarët mendojnë se u krijua gjithësia. Kuptohet se pse kjo i mahnit shkencëtarët, por mos kjo është çështje që i intereson vetëm një grupi njerëzish të zgjedhur dhe publikut të gjerë? Fikizani i grimcave elementare, Uilliam Mëri, nga laboratori britanik “Radhërford Epëllton”, nuk mendon ashtu.

“Mendoj se po e paraqitni këtë si diçka të largët, si shumë abstrakte. Në të vërtetë, ajo me të cilën po merremi ne këtu është mënyra sesi funksionon bota, gjithçka që bashkëvepron përreth nesh”.

Shkencëtari thotë se nuk është hera e parë që eksperimente të tilla cilësohen si shumë të thella, shumë teorike.

“I njëjti diskutim u zhvillua rreth elektromagnetizmit para 150 vjetësh. Njerëzit thoshin, ç’rëndësi ka kjo? Po bëni eksperimente me një fushë në laborator? Mirëpo, siç e dimë, sot, ajo fushë elektromagnetike është thelbi i shumë gjërave që përdorim në jetën tonë; të gjitha mjetet e ndriçimit, kompjuterët dhe motorët punojnë në bazë të kësaj dukurie”.

Shkencëtarët argumentojnë se përpjekjet për të gjetur gjëra të reja janë të vjetra sa bota, siç thotë profesor Inkandela.

“Ajo që po bëjmë është pjesë e diçkaje që ka filluar... flas për qytetërimin perëndimor, së paku 3 mijë e 500 vjet më parë, kur grekët e vjetër filluan të ngrejnë pyetje rreth botës fizike... ishte pikërisht kjo nismë që çoi drejt të kuptuarit e gravitetit nga Galileu dhe Njutoni... Formulat e Njutonit çuan në aftësitë mekanike të inxhinierisë që i dhanë shtysë fillimit të revolucionit industrial... Ky varg hulumtimesh më pas vazhdoi me përdorimin e elektricitetit dhe llampës elektrike, me mekanikën kuantike që çoi në shpikjen e tranzistorëve të cilët më pas sollën kompjuterin”.

Profesor Inkandela e përshkruan veten dhe kolegët e tij si njerëz që kërkojnë informacion për të ushqyer teknologjinë e së ardhmes.

“Këto gjëra na frymëzojnë aq shumë ne shkencëtarëve, sa që sjellim në fushën tonë shumë njerëz të zgjuar për të bërë atë që bëjmë ne, që është shumë e vështirë sepse shpikim shumë gjëra të reja. Këtu, në Qendrën Europiane të Studimeve Bërthamore, punojnë shumë shkencëtarë nga shumë vende të botës dhe na duhet të shkëmbejmë aq shumë të dhëna – pikërisht në këtë qendër shpikëm diçka që quhet World Wide Web – pra Interneti lindi në këtë laborator”.

Interneti është bërë pjesë e jetës së përditshme për shumë njerëz në mbarë botën. Inkandela thotë se eksperimentet janë pjesë e natyrës së njeriut.

“Mbase njerëzit duhet veç tjerash edhe të vrojtojnë sepse ne si racë njerëzore kemi nevojë të kuptojmë pozitën tonë në gjithësi dhe të bëjmë atë që duhet për të kuptuar gjithësinë”.

Në fund të fundit, kjo vlen ndoshta jo vetëm për një grusht shkencëtarësh.

XS
SM
MD
LG