Lidhje

Prokurori: Strukturat ruse tentuan vrasjen e kryeministrit Gjukanoviç


prokurori special, Milivoje Katnic
prokurori special, Milivoje Katnic

Prokurori i posaçëm Milivoje Katniç, që po heton tentativën e muajit të kaluar për të dëmtuar procesin zgjedhor në Mal të Zi, ka thënë sot se një grup nga ”strukturat nacionaliste ruse” kishin planifikuar vrasjen e kryeministrit Milo Gjukanoviç në mënyrë që një parti tjetër opozitare të vijë në pushtet.

Mali i Zi ka qenë i përfshirë në ngjarjet konspirative gjatë përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 16 tetorit, kur autoritetet atje arrestuan 20 shtetas serbë, të akuzuar për planifikim të sulmeve të armatosura kundër institucioneve shtetërore në vend.

“Organizatorët e këtij grupi kriminal ishin disa persona nga strukturat nacionaliste nga Rusia, të cilët e kishin parë se qeveria në Mal të Zi, e udhëhequr nga Millo Gjukanovic, nuk mund të ndryshohet me zgjedhje dhe se ajo duhet rrëzuar me forcë”, ka thënë prokurori Milivoje Katniç në një konferencë me gazetarë të mbajtur sot në Podgoricë.

Qëllimi, sipas tij, ishte vrasja e kryeministrit dhe ndihma ndaj një partie opozitare për të marrë parlamentin. Katniç nuk ka përmendur emrin e partisë së dyshuar.

“Autoritetet shtetërore kanë zbuluar se një grup kriminal është formuar në territoret e Malit të Zi, Serbisë dhe Rusisë me qëllimin për të kryer një vepër terroriste”, ka shtuar ai.

Një person, që ishte i trajnuar për gjuajtje në distancë, është angazhuar për të kryer vrasjen, ka theksuar më tej Katniç.

Sipas tij, hetimet janë kryer në bashkëpunim edhe me autoritetet serbe. Edhe Serbia ka ndaluar disa të dyshuar për ndërlidhje me grupin e arrestuar në Mal të Zi.

Partitë opozitare kanë thënë se puçi i dyshuar është fabrikuar dhe kanë akuzuar kryeministrin në largim Gjukanoviçin se po i shfrytëzon shërbimet e sigurisë për të ndihmuar vazhdimin e dominimit të tij gjysmë shekullor mbi Malin e Zi.

XS
SM
MD
LG