Lidhje

Malala Yousafzai, fituese e Çmimit Saharov


Bashkimi Europian i dha çmimin e tij më të lartë për të drejtat e njeriut nxënëses pakistaneze Malala Yousafzai, e cila u vu në shënjestër të talebanëve pasi nxiste arsimimin për gratë dhe vajzat.

Deputetët e Bashkimit Evropian e shpallën fituesen e Çmimit Saharov për lirinë e mendimit sot në Bruksel. Çmimi ka një vlerë prej 65,000 dollarësh.

Në vitin 2009, Malala u bë aktiviste për edukimin, lirinë dhe vetëvendosjen e grave në Luginën Swat të Pakistanit, ku ato ndalohen nga talebanët të ndjekin shkollën. Në atë kohë Malala ishte 11 vjeçe. Ajo filloi një ditar nën një emër të rremë duke u bërë një zë i njohur për të drejtat e grave.

Në vitin 2012, ajo i mbijetoi një përpjekjeje të talebanëve për ta vrarë, kur ndodhej në autobusin e shkollës. Malala iu nënshtrua operacioneve të shumta në Britani për të hequr një plumb në qafë dhe për të lehtësuar ënjtjen në tru.

Që atëherë ajo ndodhet në Britani, por e ka rifilluar aktivitetin e saj. Në korrik të këtij viti, Malala mbajti një fjalim në Kombet e Bashkuara, ndërsa këtë javë, në përvjetorin e parë të atentatit kundër saj, botoi një libër me kujtime.

Fituesit e Çmimit Saharov në të kaluarën përfshijnë legjendën jugafrikane të anti-aparteidit, Nelson Mandela, ish Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan dhe udhëheqësen birmane të luftës për demokraci, Aung San Suu Kyi.
XS
SM
MD
LG