Lidhje

Malala në qendër të një dokumentari


Fituesja e Çmimit Nobel të Paqes, Malala Yousafzai është në qendër të një dokumentari të ri. Ajo dha dje një intervistë për shërbimin Deewa të Zërit të Amerikës në Uashington, ku foli për të drejtat e grave dhe dokumentarin e saj të ri.

Në tre vitet e fundit, që pas plagosjes në kokë nga talebanët në vendin e saj, ngaqë ndiqte studimet, Malala Yousafzai ka udhëtuar në mbarë botën, duke mbështetur fuqizimin e grave. Ajo i solli mesazhet e saj në Zërin e Amerikës të dielën, në një intervistë, ku thotë se se bota do të ishte një vend më i mirë, në se do të kishte më tepër gra në poste drejtuese:

“Mesazhi im për të gjitha gratë e botës është se ato duhet të kenë besim tek vetja; ato duhet të kenë besim në potencialin e tyre si drejtuese. Por duhet që gratë vetë t jenë më aktive.”

Mesazhi i Malalës vazhdon edhe në tetor, kur do të shfaqet dokumentari i ri “He Named Me Malala”, një kronikë e jetës së saj. Malala thotë se titulli reflekton vendimin e babait të saj për t’i vënë emrin e një gruaje të fortë Pashtu.

“Babai ka qenë burim frymëzimi për mua që në fillim, ashtu si edhe nëna ime; ai fliste për të drejtat e grave dhe arsimimin e tyre në Luginën Swat Valley në një periudhë shumë të vështirë. Pra, ai më frymëzoi që të flas për të drejtat e mija. Më frymësoi, por nuk më detyroi, prandaj unë kam mësuar prej tij. Kjo është arsyeja që sot kam këtë rol, jo se më detyruan, por vendosa vetë.”

Malala, e cila sapo dha provimet e kolegjit në Britani, ju përgjigj pyetjeve të studentëve, të cilët thonë se ajo është burim frymëzimi:

“Që të bëhesh hero, nuk lidhet me moshën, mund të fitosh Çmimin e mrekullueshëm të Paqes, edhe në se je i ri. Është e mrekullueshme që një 18-vjeçare të ketë arritur kaq shumë.”- thotë një studente.

“Mendoj se zëri i Malalës ishte më fuqishëm ngaqë për shumë njerëz, rasti i saj ishte përtej statistikave, sipas të cilave një numër i caktuar vajzash nuk shkojnë në shkolla. Ajo ishte e aftë për t’i treguar botës se ky fakt përbënte një problem të vërtetë" - thotë një tjetër.

Malala thotë se mesazhi i saj në fund të fundit i lidhet si me gratë, edhe me burrat:

“Në se nuk gjysma e popullsisë së botës nuk gëzon të drejta dhe nuk lihet të përparojë, atëhere ne duhet të çajmë vetë, të arrijmë sukses dhe do të shohim zhvillim. Është e rëndësishme pjesëmarrja e plotë si e burrave, edhe e grave.”

Ky është një mesazh që Malala do të vazhdojë ta thotë tani që është 18 vjeçe, në moshën madhore.

*

XS
SM
MD
LG