Lidhje

Historia e Malala Yousafzai


Vajza pakistaneze Malala Yousafzai, e cila u plagos nga Talibani në tetor të 2012-ës, tregon historinë e saj për Radion Europa e Lirë

Këtë javë doli në treg libri “I am Malala” – Unë jam Malala, i vajzës guximtare Malala Yousafzai, e cila shkruajti një blog rreth gjendjes së vajzave nën sundimin e grupit Taliban në Pakistan. Malala është edhe në listën e kandidatëve për çmimin Nobel të Paqes, fituesi i të cilit do të shpallet këtë të premte. Në një intervistë ekskluzive për gazetarin Abdul Hai Kakar të Radios Europa e Lirë, i njëjti gazetar që i kërkoi asaj të fillonte blogun, kur ai ishte me BBC-në në vitin 2009 Malala Yousafzai tregon historinë e saj.

Në fillim të 2009-ës, grupi Taliban në Pakistan luftonte për të kontrolluar Luginën Suat, në veri të Islamabadit.

Ndër kufizimet e ashpra të imponuara nga militantët islamikë ishte dhe ndalimi i vajzave për t’u shkolluar.

Gjatë asaj periudhe problematike, Malala Yousafzai, e cila në atë kohë ishte vetëm 11 vjeç, jetonte në qytetin kryesor të distriktit të Suatit, Mingora.
Shkolla e saj u mbyll, por ajo vendosi të luftonte për të drejtën e saj për t’u shkolluar.

Pas kërkesës së gazetarit Abdul Hai Kakar, ajo filloi të shkruante një blog në internet, në urdisht për BBC-në duke përdorur një nofkë, rreth jetës nën sundimin e grupit Taleban.

Blogu i saj u përkthye në anglisht dhe numri i lexuesve u rrit shumë.

Në Birmingam të Anglisë, ku ajo jeton tani, Malala foli rreth eksperiencës së saj gjatë një interviste ekskluzive me Abdul Hai, i cili tani punon për Radion Europa e Lirë.

“Unë isha në dhomën time kur babai më tha se do të isha në gjendje ta mbaja ditarin nëpërmjet telefonit, dhe u përgjigja se do të ishte diçka e madhe për mua. Do të ishte një mundësi për të ngritur zërat tanë dhe për të shpjeguar se çfarë po mendonin fëmijët në Suat rreth situatës”.

“Unë dëshiroj të bëhem mjeke...”

Pasi mbaroi ditarin e saj për BBC-në, Malala u shfaq në një dokumentar të gazetës “The New York Times” rreth kufizimeve të gruëit Taleban mbi shkollimin e vajzave dhe të drejtat e grave.

Identiteti i saj si vajza që shkruantë ditarin për BBC-në u bë i njohur në 2011-ën. Por me këtë erdhi dhe rreziku.

“Në fillim të 2012-ës, në janar dhe shkurt, filluan kërcënimet. Im atë dhe mamaja ishin shumë të shqetësuar. Por ata nuk më treguan rreth shqetësimeve të tyre. Ata po përpiqeshin që jeta e familjes mos të ishte në rrezik. Im atë më tha se duhet të kisha kujdes.”

Më 9 tetor të 2012-ës, kërcënimet u bënë realitet. Në një rrugicë të ngushtë në Mingora, ndërsa Malala po kthehej nga shkolla me shoqet e klasës, u qëllua me armë zjarri nga një person i Talibanit.

Në ditët para ngjarjes, ajo tregoj se kishte patur një parandjenjë të keqe.

“Para këtij incidenti, po mendoja ndërsa po kthehesha nga shkolla në të njëjtën rrugicë se një person ose një Talib mund të më qëllonte me armë. Pastaj mendova se do t’i thoja: “Qëllomë, unë thjesht po kërkoj të drejtën për t’u shkolluar, për mua edhe për fëmijët tuaj.” Pastaj mendova se do t’i qëlloja me këpucë. Por në të njëjtën kohë mendova “nëse e qëllon me këpucë, cili është ndryshimi mes meje dhe një Talebani?”

Malala u plagos ndërsa po kthehej nga shkolla në një kamionçin plot me shoqet e saj të klasës.

Plumbi i kaloi përmes kokës dhe qafës. Dy vajza të tjera u plagosën, por jo aq rëndë.

“Gjëja e fundit që mbaj mend është kur vëllai im Osmani ndezi kamionçinën. Nuk mbaj mend asgjë pas asaj.”

Malala iu nënshtrua një operacioni të ndërlikuar për të hequr plumbin, i cili kishte mbetur pranë shtyllës kurrizore.

Pas trajtimit të parë në Suat, Malala u dërgua në një spital ushtarak në Peshavar dhe pastaj në një tjetër afër Islamabadit.

Ajo kujton mendimet e saj të para pas sulmit, kur luftonte për të rifituar vetëdijen.

“Gjatë 5 ditëve ose edhe më shumë isha në një gjendje të vazhdueshme endrrash. I thoja vetes se kisha vdekur. Por nëse kisha vdekur, pse nuk isha në varr? Pse nuk po të marrin në pyetje engjëjt? Kur një person është duke ëndërruar, personi nuk e di se është një ëndërr. Unë kam qenë pa ndjenja, dhe kjo është arsyeja pse unë kam qenë në gjendje të mendoj në të njëjtën kohë . Dhe unë isha duke u përpjekur për të marrë veten dhe për t’u rikthyer në botë. Ishte një përpjekje e vështirë ndërsa përpiqesha që të zgjohesha.”

Nëpër Pakistan dhe në mbarë botën, njerëzit u mblodhën për të treguar mbështetjen e tyre për Malalën.

Kur gjendja e saj u stabilizua, Malala u dërgua në Birmingham për trajtim të mëtejshëm.

Shqetësimet e saj u përqendruan jo në gjendjen shëndetsore, por në familjen e saj.

“Kurdo që vinte mjeku, i kërkoja infermieres një laps për të shkruar. Unë nuk isha në gjendje të flisja për shkak të një tubi në fyt për të marrë frymë. Pastaj, i shkruajta infermieres, duke e pyetur se kush do të paguante për gjithë këtë, sepse ne nuk kemi para. Babai im as nuk ka para të mjaftueshme për të blerë një biletë për të ardhur këtu. Pastaj mendova se ndoshta babai im do të merrte një kredi ose do të shiste shkollën që ai drejtonte apo shtëpinë tonë. Pastaj u kujtova se shkollën dhe shtëpinë i kishim me qira dhe nuk do të ishte e mundur t’i shisnim ato.”

Qeveria e Pakistanit pagoi për të gjithë shërbimet mjekësore të Malalës dhe ajo u vizitua në Angli nga familja e saj.

Babait të saj iu ofrua një vend pune në konsullatën e Pakistanit në Birmingam.

Presidenti pakistanez e quajti Malalën një vajzë të mrekullueshme dhe nder i vendit.

Pasi ajo u shërua, ajo është nderuar disa herë për punën e saj.

Më 12 korrik të 2013-ës, ajo mbajti fjalimin e parë publik që kur u plagos. Ajo foli në Kombet e Bashkuara, gjatë ditës që u quajt “Dita e Malalës,” dhe u quajt një “heroinë” nga Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki –Moon.

“Dita e Malalës nuk është dita ime. Sot është dita e çdo gruaje, çdo djali dhe çdo vajze që kanë ngritur zërat për të drejtat e tyre.”

Malala, të cilës iu dha Çmimi Ndërkombëtar i Fëmijëve për Paqe për 2013-ën, shpreson që të rikthehet në vendin e saj një ditë për t’u ribashkuar me shoqërinë e saj.

Ajo dëshiron të kthehet në një vend ku ajo dhe të drejtat e grave dhe vajzave, mund të mbeten të sigurta.

XS
SM
MD
LG