Lidhje

SHBA, përpjekje për të konfirmuar se kush e rrëzoi avionin malajzian


Kryeministri ukrainas tha se rrëzimi i avionit malajzian në Ukrainën lindore ishte "pa dyshim një akt terrorizmi". Separatistët që kontrollojnë zonën ku u rrëzua avioni me 298 persona në bord, mohojnë se se janë përgjegjës dhe kanë akuzuar forcat e qeverisë ukrainase për ngjarjen. Administrata e Presidentit Obama vazhdon përpjekjet për të konfirmuar se kush e goditi avionin malajzian që udhëtonte nga Amsterdami për në Kuala Lumpur.

Në një fjalim para biznesmenëve, Kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, tha se separatistët prorusë, që ai i quajti "banditë" nuk i kishin lejuar hetuesit ukrainas të shkonin në vendin e rrëzimit të avionit.

"Ne kemi filluar një hetim të pavarur dhe u bëj thirrje qeverive të vendeve të tjera të ndërmarrin një hetim ndërkombëtar rreth kësaj tragjedie, që është pa dyshim një akt terrorizmi," tha zoti Yatsenyuk.

Separatistët që kontrollojnë zonën ku u rrëzua avioni malajzian me numër fluturimi 17, thanë se kishin gjetur kutitë e zeza dhe po shqyrtonin se çfarë do të bënin me to. Deklarata e tyre mund të kenë ndikime të rëndësishme lidhur me integritetin e hetimit.

Ata kanë mohuar se kanë përgjegjësi për rrëzimin e avionit dhe kanë akuzuar forcat e qeverisë ukrainase. Presidenti rus Vladimir Putin fajësoi Ukrainën për ofensivën kundër separatistëve që filloi dy javë më parë. Zoti Putin e quajti aksidentin një "tragjedi".

Autoritetet e zbulimit amerikan besojnë se avioni është rrëzuar nga një raketë tokë-ajër, por administrata e Presidentit Obama vazhdon përpjekjet për të konfirmuar se kush e lëshoi raketën dhe nëse në avion ka patur shtetas amerikanë.

Mes pyetjeve pa përgjigje është nëse raketat u lëshuan nga ana ruse apo ukrainase e kufirit, sipas një zyrtari amerikan, i cili nuk ishte i autorizuar për të diskutuar mbi këtë çështje publikisht. Por zyrtari tha se vlerësimet amerikane të zbulimit thonë se gjasat më të shumta janë që avioni të jetë rrëzuar nga separatistët pro-rusë apo nga rusët se sa nga forcat qeveritare të Ukrainës.

Zyrtari thotë se avioni me sa duket ishte vënë në shënjestër qëllimisht nga dikush që mund ta ketë marrë për një aeroplan ushtarak transporti.

SHBA kanë teknologji të sofistikuara që mund të diktojnë raketalëshuesit, madje të identifikojnë nxehtësinë që emetohet nga motori i një rakete.

Shtëpia e Bardhë thotë se ndonëse ende nuk dihen të gjitha faktet, "incidenti ka ndodhur në kontekstin e një krize në Ukrainë që është nxitur nga mbështetja e Rusisë për separatistët, duke përfshirë mbështetjen me armë, materiale dhe trajnim.''

Në deklaratën e saj, Shtëpia e Bardhë bën thirrje për një hetim "të plotë, të besueshëm dhe të papenguar ndërkombëtar sa më shpejt që të jetë e mundur.''

Biden: rrëzimi i avionit nuk ishte aksident

Avioni Boeing 777 me 295 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi në bord, ishte nisur nga Amsterdami për në Kuala Lumpur. Ai u rrëzua në rajonin Donetsk të Ukrainës lindore, pranë qytetit Snizhne. Dëshmitarët thanë se copëra të avionit ishin shpërndarë në një fushë. Asnjë nga personat në bord nuk ka mundur të mbijetojë. Shumica e pasagjerëve ishin holandezë.

Presidenti Obama i telefonoi kryeministrit holandez, Mark Rutte, për t’i shprehur ngushëllime. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se të dy udhëheqësit biseduan lidhur me nevojën që hetuesit ndërkombëtarë të lejohen të shkojnë në vendin ku u rrëzua avioni.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Obama foli edhe me presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko dhe e siguroi atë se ekspertë amerikanë do të ofrojnë menjëherë ndihmën e nevojshme. Të dy presidentët theksuan rëndësinë që të gjitha faktet të mbeten në Ukrainë. Kryeministri malajzian Najib Razak, i cili gjithashtu foli me presidentin Obama, tha se nuk mund të konfirmojë që avioni është rrëzuar pasi është qëlluar, por shtoi se piloti nuk dërgoi ndonjë sinjal për të shprehur shqetësimin.

Ukraina akuzon separatistët pro-rusë se e kanë rrëzuar avionin, duke e qëlluar me një raketë tokë-ajër, ndërsa udhëheqësit rebelë thonë se avionin e ka rrëzuar një avion luftarak ukrainas.

Ambasadori i Ukrainës në Kombet e Bashkuara, Yuriy Sergeyev, tha se Ukraina do të paraqesë fakte për atë që ai thotë se ishte përfshirje ushtarake ruse në rrëzimin e avionit, në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të premten.

Por presidenti rus Vladimir Putin tha se fajtore është qeveria e Ukrainës, e cila i ka rifilluar operacionet ushtarake në lindje të vendit. Ai tha se kjo tragjedi nuk do të kishte ndodhur, në se në rajon do të kishte patur paqe.

Ndërsa vazhdojnë reagimet ndaj rrëzimit të avionit malajzian, presidenti rus Vladimir Putin bëri sot thirrje për armëpushim të menjëhershëm, ndërsa ministri i tij i jashtëm paralajmëroi se Rusia mund të përgjigjet nëse hapet zjarr nga Ukraina në territorin e saj.

Presidenti Putin tha se Rusia mendon se paqja duhet të vendoset në Ukrainë dhe kontakte direkte mes të gjitha palëve në konflikt duhet të vendosen sa më shpejt të jetë e mundur.

Zoti Putin bëri përgjegjës për rrëzimin e avionit qeverinë e Ukrainës. Ai tha se incidenti “nuk do të kishte ndodhur nëse Kievi”, sipas tij nuk do të kishte “rifilluar aktet armiqësore” në Ukrainën juglindore.

XS
SM
MD
LG