Lidhje

SHBA: Avioni malajzian mund të jetë rrëzuar në Oqeanin Indian


Zyrtarët amerikanë thonë se avioni i zhdukur i kompanisë Malaysia Airlines me 239 njerëz në bord mund të jetë rrëzuar në Oqeanin Indian.

Fluturimi me numër 370 u zhduk një javë më parë dhe hetuesit ende nuk kanë gjetur dëshmi të qëndrueshme të asaj që ka ndodhur. Ka shumë teori për zhdukjen e avionit përfshirë rrëmbimin dhe problemet mekanike të përmasave katastrofike.

Zyrtarët amerikanë u thanë mediave amerikane se ata kanë informacione që sugjerojnë se avioni është rrëzuar në Oqeanin Indian, në një distancë shumë të largët në perëndim të linjës së tij të fluturimit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se Shtetet e Bashkuara mund të zgjerojnë kërkimet në Oqeanin Indian për shkak të siç tha ai "informacionit të ri". Ai nuk dha hollësi të tjera.
Ministri malajzian i Transportit Hishammuddin Hussein tha dje se "rrethanat " kanë kanë bërë që kërkimet tashmë të shtrihen në Oqeanin Indian. Ai gjithashtu tha se hetuesit janë duke kërkuar në pjesët e largëta të Detit të Kinës Jugore.

Avionët ushtarakë Indian kanë bërë fluturime vezhguese mbi ishujt Andaman dhe Nicobar dhe më shumë se 500 ishuj të tjerë kryesisht të pabanuar, me pyje të dendura.
Hetuesit besojnë se avioni mund të ketë fluturuar për disa orë pas zhdukjes nga radarët. Ata thonë se avioni kishte dërguar sinjale elektronike në një satelit komunikimi.
Avioni Boeing 777 ishte duke fluturuar në linjën Kuala Lumpur- Pekin kur u zhduk.
XS
SM
MD
LG