Lidhje

Melania Trump dhe roli i Zonjës së Parë


Zonja e Parë Melanie Trump ishte dje e pranishme dhe mbajti fjalim në ceremonitë e sivjetshme të ndarjes së çmimit Gruaja e Guximshme të organizuar çdo vit nga Departamenti i Shtetit. Zonja e Parë ka qëndruar larg vëmendjes publike gjatë këtyre dy muajve që pas inaugurimit të presidentit të ri, por ekspertët thonë se prania e saj në aktivitetin e Departamentit të Shtetit mund të sinjalizojë dëshirën për të marrë mbi vete detyra ceremoniale në të ardhmen.

Në Departamentin e Shtetit në Uashington, zonja e parë priti fitueset e sivjetshme të çmimit Gruaja e Guximshme:

“Secila nga këto gra heroike ka një histori të jashtëzakonshme guximi që duhet të na frymëzojë të gjithave për të arritur më shumë se ç’kishim menduar ndonjëherë se është e mundur,” tha zonja Trump.

Ishte një rast i rrallë kur zonja e parë dilte në publik. Ajo ka preferuar të qëndrojë larg aktiviteteve publike që kur i shoqi u bë president.

Në shkurt, ajo ishte në Florida, në një aktivitet të përbashkët me bashkëshorten e kryeministrit japonez, me të cilën vizitoi një muzeum dhe një kopësht botanik.

Po në shkurt, ajo ishte përkrah bashkëshortit kur Presidenti Trump priti Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu së bashku me të shoqen në Shtëpinë e Bardhë dhe ndoqi në Kongres fjalimit e presidentit drejtuar vendit.

Por vendimi i saj për të qëndruar në Nju Jork deri kur i biri të mbarojë vitin shkollor ka bërë që ajo të mos jetë e pranishme në shumë aktivitete publike përkrah të shoqit, ndryshe nga bashkëshortet e presidentëve të mëparshëm, thotë profesore Myra Gutin, e cila bëri komente për Zërin e Amerikës përmes Skype-it:

“Ajo dukej më e rezervuar që në fillim. Nuk besoj se i pëlqente ideja e angazhimit në politikë, sidomos në këtë nivel kaq të lartë të angazhimit politik. Do t’i duhet kohë të fillojë të ndjehet mirë në këtë rol”.

Zonja Trump ka filluar të marrë mbi vete detyrimet që mbart roli i zonjës së parë. Këtë muaj ajo ishte në një spital pediatrik ku kaloi kohë duke u lexuar libra fëmijëve, si dhe mori pjesë në një drekë në Uashington në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Aktivizmi kundër komenteve negative në internet dhe fuqizimi i grave dhe vajzave janë dy tema të dashura për të. Profesore Gutin thotë se gradualisht zonja Trump mund të fillojë të marrë një rol po aq të madh sa pararendëset e saj:

“Barbara Bush zhvillonte aktivizëm kundër analfabetizmit dhe për t’i nxitur fëmijët të lexonin dhe të ndiqnin shkollën. Hillary Clinton punoi shumë për reformën në kujdesin shëndetësor. Projektet që ka përqafuar zonja Trump si lufta kundër komenteve negative në internet dhe fuqizimi i gruas janë tema po aq të rëndësishme”.

Për momentin, zonja e parë ende po ambjentohet me vëmendjen e shtuar që ka sjellë roli i saj i ri, në krah të personit më të fuqishëm në botë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG