Lidhje

Mundësia e vendosjes së paqeruajtësve në Mali


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti diskutimet fillestare dje për mundësitë e vendosjes së një force paqeruajtëse në Mali, pasi Franca të tërheqë trupat prej andej. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Margaret Bashir, na sjell hollësi.

Në muajin janar, autoritetet maliane i kërkuan Francës të ndërhynte për të ndalur ekstremistët islamikë që kishin marrë kontrollin e pjesës veriore të vendit të merrnin kontrollin e kryeqytetit, Bamako. Operacioni ushtarak i Francës pritet të përfundojë shpejt dhe Kombet e Bashkuara po planifikojnë fazën e ardhëshme për stabilizimin e vendit.

Të martën, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara u dërgoi një raport15 vendeve të Këshillit të Sigurimit me dy variante të mundëshme për forcat në Mali.

Ambasadori i Francës, Gérard Araud, u tha gazetarëve dje se këshilli filloi diskutimet paraprake lidhur me rekomandimet e shefit të OKB-së.

“Mendoj se nga takimi mund të them se është arritur nga njëra anë një konsensus për idenë e një operacioni paqeruajtës, e një operacioni stabilizues në Mali. Por natyrisht mbeten shumë gjëra të tjera që kërkojnë përgjigje, pyetje të ligjëshme, prandaj ne duhet t’i diskutojmë ato”.

Sekretari i Përgjithshëm propozoi dy opcione për Malin në raportin e tij. Në opcionin e parë, gjërat mbeten përgjithësisht një lloj, me forcën stabilizuese të udhëhequr nga afrikanët, të njohur si AFISMA, aktualisht me 7 mijë trupa në vend, por që do të lidhen me Kombet e Bashkuara dhe do të marrin fonde për misionin e tyre nga buxheti i Shteteve të Bashkuara.

Opcioni i dytë, për të cilin diplomatët thonë se është versioni më i mundshëm, do të ishte kalimi nga forca me trupa kryesisht afrikane tek një forcë paqeruajtëse e Kombeve të Bashkuara, duke shtuar numrin e trupave në 11200. Krahas kësaj do të krijohej një forcë paralele për t’u marrë me operacionet kundër terrorizmit.

Diplomatët thonë se Franca është zgjedhja më e mirë për të dërguar trupa për forcën paralele, por ambasadori Araud tha se është ende shumë herët për të thënë nëse dhe si Franca mund të kontribuojë për një forcë të tillë.
Ai tha se Franca do të fillojë tërheqjen e 4 mijë trupave në ditët e ardhëshme.

“Ne po pakësojmë forcat tona, dhe siç kam thënë më parë, ne nuk do të nxitojmë të largohemi, por ne duam të largohemi sa më parë që të jetë e mundur”.

Franca do të marri udhëheqjen në Këshillin e Sigurimit për të hartuar rezolutën për stabilizimin e misionit të Kombeve të Bashkuara. Ambasadori tha se këshilli do të takohet përsëri të martën e ardhëshme më dy prill për diskutime të mëtejshme dhe ai shpreson që votimi të mbahet dikur në muajin prill.
XS
SM
MD
LG