Lidhje

Kohë shprese e shqetësimi për malianët në Francë


Rreth 100 mijë malianë jetojnë në Francë dhe po ndjekin nga afër ngjarjet në vendlindjen e tyre, ku ushtria franceze ndërmori të mërkurën sulmin e parë tokësor kundër një kryengritjeje islamike. Një prej komuniteteve më të mëdha maliane ndodhet në lagjen e Parisit, Montreuil, e cila ka marrë edhe nofkën “Bamako e Vogël”. Lisa Bryant ishte në këtë lagje për të biseduar me banorët dhe ka përgatitur materialin në vazhdim.

Foyer Bara, një hotel, ku strehohen punëtorët imigrantë malianë, ndodhet në një rrugë të vogël, afër metrosë. Është një ndërtesë e errët dhe jo e mirëmbajtur, por plot aktivitete.

Oborri kryesor është transformuar në një treg jozyrtar ku ndodhet edhe një dyqan berberi. Shumë malianë shesin aty karamele dhe ushqime të tjera të ngrohta në çadra. Të tjerë mblidhen në këtë ditë të ftohtë për të diskutuar rreth ngjarjeve në vendin e tyre, ku trupat franceze po përpiqen të shtypin një kryengritje islamike.

Moussa Doucoure, i cili ndihmon në administrimin e hotelit, përshëndet përpjekjet e Francës për nxjerrjen e vendit të tij nga vështirësitë, siç shprehet ai. Ai i ironizon ekstremistët, që e quajnë veten islamikë. Ata janë thjeshtë banditë dhe kriminelë, që përdhunojnë gratë dhe gjymtojnë njerëzit thotë ai.

Një banor tjetër, që ka gjetur strehë në hotelin Bara, Sigama Sekou thotë se Franca po bën atë që duhet. Sekou lavdëron ushtrinë franceze për operacionin që ai mendon se ishte i suksesshëm. Ai ka jetuar në Francë plot 10 vjet dhe thotë se të tjerët e respektojnë.

Rreth 6 mijë malianë jetojnë në lagjen Montreuil, dhe kjo i ka dhënë lagjes nofkën "Bamako e Vogël". Claude Reznik, i cili drejton zyrën për bashkëpunimin ndërkombëtar në bashkinë e qytetit, thotë se komuniteti malian i Montreuil-it është i rëndësishëm, dhe kjo jo vetëm për arsye të madhësisë së tij.

Reznik thotë se malianët jetojnë në Montreuil prej një kohe të gjatë dhe se ky qytet ka pasur marrëdhënie të mira me një zonë në rajonin Kayes të Malit perëndimor, nga ku kanë ardhur shumë prej malianëve. Ai thotë se bashkia, ashtu si edhe banorët malianë, është shumë e shqetësuar rreth krizës në Mali.

Qeveria e majtë e Montreuil-it po merr masa për të ndihmuar malianët, që përpiqen të rindërtojnë godinat, ku ata strehohen, si hoteli Bara.

Reznik i cilëson si të padrejta dhe jo humane kushtet në të cilat jetojnë këta njerëz që punojnë dhe paguajnë taksa në Francë. Yeli Doucoure administron një ndërtesë tjetër, ku banojnë malianë.

Ai thotë se familja e tij në Mali është mirë. Edhe ai vjen nga rajoni Kayes i Malit, i cili nuk është prekur drejtpërdrejt nga kryengritja islamike, por ai thotë se malianët ndjehen si një familje e vetme. Ata ndajnë të njëjtat zakone dhe fenë islame, ndërkohë që janë të zemëruar që ekstremistët kanë marrë nën kontroll veriun e vendit. Doucoure thotë se malianët nuk do ta harrojnë kurrë ndihmën e ushtrisë franceze, por ai shpreson që ushtarë francezë të mos rrezikohen.

XS
SM
MD
LG