Lidhje

Kryeministri irakian kërkon ndihmë kundër terrorizmit


Zoti Maliki tha se grupet terroriste po përfitojnë nga zbrazëtia e pushtetit e krijuar prej revolucioneve në botën arabe

Kryeministri i Irakut Nuri al-Maliki takohet sot me Presidentin Barak Obama në Shtëpinë e Bardhë, ku ai pritet të kërkojë ndihmë në luftën kundër rebelëve në vendin e tij të përfshirë nga dhuna. Në një fjalim, zoti Maliki tha dje se grupet terroriste janë duke përfituar nga mungesa e pushtetit e krijuar nga revolucionet në botën arabe.


Irakianët janë duke përjetuar valën e dhunës më të ashpër në pesë vjet.
Shpërthimet, kryesisht kundër shi'itëve , por edhe kundër disa objektivave suni, janë duke ushqyer tensione sektare.

Një nga arsyet kryesore është lufta civile në vendin fqinj, Siri.

Luftëtarë të lidhur me Al-Kaidën po hyjnë në Irak pikërisht nga Siria. Civilët po vriten pothuajse çdo ditë.

Revolucionet arabe po lejojnë që grupet terroriste të rikthehen, thotë kryeministri irakian Nuri al-Maliki.

"Pra, u krijua një zbrazëti pushteti dhe al-Kaida dhe organizata të tjera terroriste ishin në gjendje ta shfrytëzonin dhe të fitonin terren. Ata përfituan nga rënia e strukturave shtetërore. Pra tani ne po shohim realitetin e ri në rajon që lejoi rikthimin e terrorizmit."

Zoti Maliki ndodhet në Uashington ku po kërkon ndihma të reja ushtarake, si helikopterë dhe mjete për mbledhjen e informacioneve të zbulimit, për të luftuar kryengritësit.

Ai thotë se lufta në Siri kërcënon rajonin.


"Ne po paralajmërojmë, dhe jemi të frikësuar e shumë të shqetësuar ndaj një suksesi të mundshëm të organizatave terroriste në Siri. Nëse ata fitojnë, ne dhe e gjithë bota duhet të bëjë gjithçka të mundur për ta parandaluar këtë."

Për muaj me radhë, irakianët suni kanë organizuar demonstrata anti-qeveritare duke hedhur akuza për abuzim dhe diskriminim nga ana e qeverisë të udhëhequr nga shi'itët.

SHBA-ja ka ushtruar presion ndaj kryeministrit shi'it Maliki për të ndarë pushtetin dhe të ardhurat e naftës me pakicën suni të vendit dhe me kurdët. Kritikët thonë se kjo gjë nuk ka ndodhur.

Clifford May është president i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive në Uashington. Ai thotë se bisedime të sinqerta janë të nevojshme mes zotit Maliki dhe zyrtarëve amerikanë.


"Nëse kjo do të bënte që SHBA-ja të siguronte më shumë mbështetje për zotin Maliki, në mënyrë që ai të mund të jetë më i pavarur nga Irani dhe më efektiv në luftën kundër al- Kaidës, do të ishte në interesin e tij dhe në interesin tonë."

Për shkak të shtimit të prodhimit të naftës, ekonomia e Irakut po rritet me shpejtësi. Bagdadi kohët e fundit bëri një pagesë paradhënie prej 650 milionë dollarësh për të blerë avionë luftëtarë F-16 ndërsa vazhdon të rindërtojë ushtrinë e tij.

XS
SM
MD
LG