Lidhje

Kerry takohet me opozitën siriane


Kreu i opozitës së moderuar siriane thotë se kalimi i kryengritësve përtej kufirit "praktikisht të hapur" midis Sirisë dhe Irakut ka krijuar konfuzion në të gjithë rajonin.

Kreu i opozitës siriane Ahmad al-Jarba i tha Sekretarit amerikan të shtetit John Kerry në Jeddah të Arabisë Saudite, se lufta kundër terrorizmit duhet të jetë më e fortë se kurrë. Ai po kërkon më shumë ndihmë të huaj nga Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite, ndërkohë që njerëzit e tij të përpiqen të frenojnë dy forca njëherësh, ato siriane të presidentit Bashar al-Assad dhe ISIL-in, degën e grupit al-Kaida, Shteti Islamik i Irakut dhe Levanti.

Sekretari Kerry i tha zotit Jarba se kryengritësit e moderuar do të jenë faktor vendimtar në luftën ndërkufitare kundër ekstremistëve suni.

Sekretari i Shtetit ndodhet në Lindjen e Mesme për të nxitur udhëheqësit rajonalë të përballen me kërcënimin militant islamik që vjen nga konfliktet në Siri dhe Irak. Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten se synon të dërgojë 500 milion dollarë ndihma për të trajnuar rebelët sirianë që luftojnë kundër Isil-it.

Ndërkohë, në Irak vazhdoi edhe sot trysnia ndaj kryeministrit Nuri al-Maliki: Një klerik i lartë shiit i vendit u bëri thirrje grupeve politike që të bien dakord për një udhëheqës të ri deri të martën.

Parlamenti irakian i zgjedhur kohët e fundit do të mblidhet të martën për të filluar procesin e formimit të një qeverie, për të cilën shumë njerëz shpresojnë që të jetë më gjithëpërfshirëse dhe të mos lerë mënjanë pakicën suni të Irakut.

Zoti Maliki ka humbur disa aleatë shi'itë. Sot, Ajatokllahu i Madh, Ali al-Sistani u bëri thirrje blloqeve politike të bien dakord mbi një kryeministër, president dhe kryeparlamentar të ri para mbledhjes të së martës.

Kryeministri e ka hedhur poshtë formimin e një qeverie emergjente, duke thënë se do të kjo do të ishte kundër kushtetutës së vendit dhe rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 30 prillit.

XS
SM
MD
LG