Lidhje

Mallrat fallso mbushin tregjet e Iranit

  • Zëri Amerikës

Mallrat fallso mbushin tregjet e Iranit

Mallrat fallso mbushin tregjet e Iranit

Pavarësisht nga mospëlqimi i thuajse çdo gjëje perëndimore nga qeveria iraniane, konsumatorët e rinj të vendit kanë interes jashtëzakonisht të madh për mallrat e firmave perëndimore. Në shumicën e pazareve, emrat e njohur të firmave nga Adidas e deri tek Gucci gjenden me shumicë. Por, shumica e produkteve të stilistëve të njohur që shiten në Iran janë fallso.

Ky duket si çdo distrikt modern dyqanesh, me emra firmash të njohura si Gucci, Benetton dhe La Senza, që presin të tërheqin vëmendjen e konsumatorëve që ndjekin modën. Por kjo është qendra e Teheranit.

Pasi u mbyll për vite me radhë për bizneset perëndimore, konsumatorët iranianë mezi presin të blejnë mallra të importuara të firmave të njohura. Por një shitës, që nuk pranoi të identifikohej, tha se shumica nuk duan të paguajnë çmimet që kanë mallrat e firmave të njohura.

“Klientët duan të blejnë mallra të emrave të njohur të modës. Po t’i thuash që një gjë është prodhuar nga një firmë vendase, ata nuk do ta blinin. Ne na duhet të përdorim marka fallso në mënyrë që konsumatorët të blejnë produktet tona.”

70 përqind e 73 milion banorëve të Iranit janë nën moshën 35 vjeç, prandaj kërkesa për mallra të modës është e lartë. Por shumica e familjeve marrin rreth 600 dollarë në muaj dhe nuk mund të përballojnë çmimet e produkteve origjinale.

“Pak njerëz mund të blejnë Adidas origjinale. Pak njerëz mund të paguajnë 100 dollarë për një bluzë Adidas. Prandaj ata blejnë produktin fallso për 10 dollarë.”

Autoritetet iraniane bëjnë sikur nuk e vënë re tregëtinë e mallrave fallso. Duke mos pasur sanksione ndaj veprimtarive të paligjshme, prodhuesit vendas as që përpiqen t’i fshehin markat fallso që vënë në prodhimet vendore.

Ali Tamineh është shitës në një dyqan ku shiten mallra origjinale të stilistëve. Ai thotë se kjo gjendje po e bën më të vështirë mbijetesën e produkteve origjinale në treg.

“Ne jemi përfaqësues të një marke të njohur me 77 dyqane në të gjithë vendin. Marka jonë është origjinale, por ne hasim vështirësi. Njerëzit këtu ndryshojnë dizenjon origjinale dhe e shpërndajnë produktin me një markë të rreme dhe cilësi të dobët.”

Zoti Tamineh thotë se blerësit që paguajnë për mallra të lira janë ata që dalin të humbur. Vahid është konsumator tipik në Teheran.

“Ne të rinjtë në Iran do të donim të blinim mallra origjinale, por fatkeqësisht shumica e tyre janë fallso. Mund të them se 90 për qind e veshjeve që shiten nuk janë origjinale.”

Ndikimi ekonomik i shitjes së mallrave fallso në Iran është vështirë të matet. Por në të gjithë botën, humbjet nga fallsifikimi i mallrave origjinale qoftë veshjeve të modës apo produkteve kompjuterike arrijnë në miliarda dollarë.

XS
SM
MD
LG