Lidhje

Avioni i rrëzuar: vazhdojnë hetimet dhe negociatat

  • Al Pesin

Qeveria e Ukrainës thotë se në vendin ku u rrëzua avioni malajzian të enjten janë gjetur 233 trupa. Kjo shifër të bën të besosh se trupat e tjerë që mbeten nga totali 298 nuk janë gjetur ende. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Al Pessin njofton nga Kievi, se një delegacion European u lejua të shikonte trupat dhe vendin ku u rrëzua avioni, në Ukrainën lindore:

Është një pamje e frikshme dhe e trishtueshme në një nga fushat e gjera të Ukrainës, siç e përshkruan atë Michael Bociurkiw i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, i cili foli me gazaterët me telefon celular:

"Tani jemi duke parë pjesët e motorrit dhe të trupit të avionit. Më duket se kjo është pjesa kryesore e trupit të avionit, ajo e mesit. Po ashtu, jemi duke parë punonjësit e emergjencës që po studjojnë një masë tepër të vështirë për t'u dalluar, të krijuar nga forca e goditjes: rrënoja dhe pjesë trupash së bashku."

Më parë, Bociurkiw dhe ekipi i tij prej 21 vetësh ishin lejuar të shihnin disa vagona me frigoriferë, të rreshtuara në një stacion hekurudhor. Ai thotë se pa atje një numër të madh qesesh me trupa, por se ekipi nuk i numëronte dot:

"Për shkak të kushteve të trenit, nuk e bënim dot këtë; nevojiten pajisje profesionale mbrojtëse për t'u futur atje. Nuk dua të flas me hollësi për atë skenë të frikshme, por dua të them se ishte diçka tepër e vështirë dhe e rëndë për t'u parë."

Bociurkiw dhe ekipi i tij mundën të hyjnë më lehtësi tek vendi i tragjedisë të dielën, pasi të premten dhe të shtunën nuk kishin hyrë dot për shkak të separatistëve pro-rusë të armatosur, që kontrollojnë rajonin.

Zyrtarët e OSBE-së nuk janë hetues fatkeqësish. Ata ndodhen në rajonin e kontrolluar nga rebelët me misionin e vëzhgimit të të drejave të njeriut. Por ata janë vëzhguesit e vetëm të pavarur në rajon dhe zoti Bociurkiw tha se po përpiqen të dokumentojnë çfarë të munden nga fatkeqësia.


Zyrtarët urkainas dhe ata perëndimorë thonë se avioni u rrëzua, ndoshta nga rebelët, ose operativët rusë që punojnë me ta, ndoshta ngaqë ata e morën gabimisht për avion ushtarak transporti.

Ende vazhdojnë negociatat se ku do të çohen trupat që ndodhen në tren. Në këtë çështje janë të përfshirë Ukraina, përfaqësuesit e rebelëve dhe zyrtarë nga vende të ndryshme, që kishin pasagjerë në avion. Shumica e pasagjerëve që po fluturonin nga Amsterdami për në Kuala Lumpur ishin holandezë dhe shumë të tjerë ishin nga Malaysia, Australia, Indonezia dhe Britania.

XS
SM
MD
LG