Lidhje

Transformimi i qëndrimit amerikan ndaj Nelson Mandelës

  • Scott Stearns

Në momentin e vdekjes, Nelson Mandela ishte i nderuar dhe i respektuar në Shtetet e Bashkuara dhe kudo tjetër. Por ai nuk ka qenë gjithmonë një ikonë. Pikëpamjet amerikane për Mandelën ndryshuan nga ato si një komunist i Luftës së Ftohtë në një hero të anti-aparteidit.

Ish-Presidenti amerikan John F. Kennedy ka thënë se në vitin 1962 Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin “një grup të jashtëzakonshëm” udhëheqësish afrikanë, të cilët po ndërtonin vende të reja që sapo kishin fituar pavarësinë.

"Ky kontinent ka qenë i panjohur për ne sepse ishte i mbizotëruar nga Evropa. Tani ky kontinent po hapet dhe ne duam të jemi pjesë e kësaj hapjeje. Interesi ynë është krejtësisht i palidhur me interesa vetjake. Ne nuk kemi pasur lidhje tregëtare, nuk kemi histori shfrytëzimi. Ne i kemi mbështetur përpjekjet e Kombeve të Bashkuara në Afrikë. Ne duam që ata të jenë të pavarur”.

Megjithëse, Presidenti Kennedy u shtriu dorën e bashkëpunimit udhëheqësve të Algjerisë, Ganës dhe Guinesë, grupi i jashtëzakonshëm i afrikanëve nuk përfshinte Kongresin Kombëtar Afrikan të Nelson Mandelës.

Afrika e Jugut e periudhës së Aparteidit, ishte partnerja më e madhe e Shteteve të Bashkuara në Afrikë në kohën e Luftës së Ftohtë, me rezerva të bollshme uraniumi, porte që përdoreshin nga Marina amerikane dhe katër baza për gjurmimin e raketave. Sekretari i Shtetit Dean Rusk ishte kundër sanksioneve ekonomike, duke paralajmëruar se dobësimi i pushtetit të të bardhëve mund të sillte si rezultat “depërtimin komunist”.

Ish-presidenti Lyndon Johnson vazhdoi me temën e anti-komunizmit megjithë takimin e senatorit të atëhershëm Robert F. Kennedy në vitin 1966 me udhëheqësin e ndaluar të ANC-së, Albert Luthuli dhe fjalimin e tij në Universitetin e Cape Taunit, ku fjalët e tij se “çdo goditje kundër padrejtësisë krijon valë shprese” u bënë të famshme.

"Dhe këto valë që vijnë nga miliona qendra të ndryshme energjie dhe guximi, bashkohen duke krijuar një rrymë që mund të rrëzojë muret më të forta të shtypjes dhe qëndresës”.

Në kohën e presidencës së Niksonit dhe Fordit, vlerësimi i regjimit të bardhë si qëndrësë ndaj komunizmit u përforcua nga mbështetja e zotit Mandela për Presidentin kuban Fidel Castro dhe më mbi 30 mijë trupat kubane në Angolën fqinje që bllokuan përparimin e Afrikës së Jugut në Luandë në vitin 1975.

Kur trupat afrikano-jugore pushtuan Angolën, Castro u tha gazetarëve se kubanët nuk mund të mos vepronin.

Ish-Sekretari amerikan i Shtetit në kohën e presidentit Jimmy Carter, Cyrus Vance kryesoi një delegacion të Kombeve të Bashkuara në Afrikën e Jugut në vitin 1978, pasi Pretoria mori nën kontroll territorin që është sot Namibia. Administrata e Presidentit Carter forcoi embargon e armëve por vazhdoi të kundërshtonte sanksionet ekonomike.

Ish-Presidenti Ronald Reagan i tha gazetarit Walter Cronkite në CBS se Shtetet e Bashkuara mund të negocionin me “një vend mik si Afrika e Jugut” që “është thelbësor nga ana strategjike për botën e lirë, si vend prodhues mineralesh”.
John Arquilla është autor që ka shkruar për politikën e jashtme të Reganit.

"Në kulmin e Luftës së Ftohtë, Afrika e Jugut ishte një vend ku burimet më të rëndësishme strategjike – vanadiumi dhe metale të tjera të rëndësishme strategjike – gjendeshin në sasi të bollshme. Kështu qeveria autoritare dhe raciste e atjeshme, arriti ta përdorte këtë fakt për një farë kohe, sepse Bashkimi Sovjetik, armiku ynë kishte burimet e veta natyrore, në sasi më të shumta sesa tonat”.

Protestat kundër aparteidit në universitetet amerikane u zgjeruan. Kongresi votoi kundër vetos së Presidentit Regan për sanksione ekonomike. Anëtari i Kongresit Louis Stokes kujton protestat paqësore para ambasadës afrikano-jugore.

"Ishte më e pakta që mund të bënim sepse nëse Nelson Mandela mund të vuante 28 vjet në burg për popullin e tij, pa kryer asnjë krim, sigurisht që ne mund të kalonim një natë në burg për ta vënë theksin tek pabarazia e aparteidit në Afrikën e Jugut”.

Kur zoti Mandela doli nga burgu në vitin 1990, ish-Presidenti George Herbert Walker Bush e ftoi Presidentin afrikano-jugor F.W. deKlerk në Shtëpinë e Bardhë për të shfaqur mbështetjen amerikane për atë që ai e quante një udhëheqje të re më realiste ndaj ndryshimit politik.

"Nxjerrja nga burgu e Mandelës është sigurisht një shenjë pozitive. Mendoj se ka akoma shumë për të bërë, por zoti DeKlerk ka ndërmarrë disa hapa që meritojnë mbështetjen dhe vlerësimin tonë”.

Udhëheqësit amerikanë anti-aparteideit e kundërshtuan ftesën për deKlerkun, e para për një president afrikano-jugor, pasi kishin përshtypjen se Presidenti Bush po nxitohej.
Puna e zotit Mandela në drejtim të pajtimit racor dhe në zgjedhjen e tij si presidenti i parë i ardhur në pushtet me votim popullor, e bënë atë një hero për njerëzit kudo në botë, siç u shpreh Presidenti Bill Klinton.

"Për një kohë të gjatë, emri Nelson Mandela ka qenë i lidhur me betejën për liri. Aparteidi nuk mundi ta bënte të heshtëte. Dhe kur ai doli nga burgu, amerikanët e pritën këtë lajm me ngazëllim”.

Presidenti George W. Bush e priti zotin Mandela në Shtëpinë e Bardhë duke e quajtur simbol guximi. Por zoti Mandela kishte nevojë për një leje për të marrë vizën sepse ende ishte në listën amerikane të terroristëve. Ishte një nga rastet kur republikanët dhe demokratët punuan së bashku për ta ndryshuar atë politikë, që anëtarja e Kongresit Barbara Lee e quan “të tmerrshme”.

Presidenti Barak Obama thotë se Nelson Mandela vendosi standardin për t’u shërbyer të tjerëve “qofshin studentë, shitës apo bujq, ministra apo presidentë. Zëri i tij, - ka thënë presidenti Obama, - na bën thirrje që t’u shërbejmë njerëzve të tjerë dhe të përmirësojmë jetën në komunitetet tona”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG