Lidhje

Robben, përmendore e guximit të Mandelës

  • Henry Rdigewell

Pas një periudhe zie prej 10 ditësh, trupi i Nelson Mandelës prehet tani në varrezën e kompleksit familjar në Qunu. Korrespondenti Henry Ridgwell vizitoi ishullin Robben në brigjet e Kejp Taunit, ku Mandela vuajti dënimin me burgim. Korrespondenti bisedoi me vizitorët që kanë kaluar një javë emicionale pas vdekjes së Mandelës:

Duke çarë dallgët në Gjirin Table Bay, anijet që dikur sillnin të burgosur në ishullin Robben tani vijnë të mbushura me vizitorë që kanë ardhur për të nderuar kujtimin e Mandelës në vendin ku ai kaloi 18 nga 27 vjetët e dënimit të tij me burgim.

Brenda këtyre mureve kishte edhe shumë të tjerë që vuanin dënimin së bashku me Mandelën. Ndër ta ishte Vusumzi Mcongo, i cili kaloi 12 vjet në burg. Tani ai drejton grupet e vizitorëve.

"Njerëzit vijnë çdo ditë dhe mbajnë zi në mënyrën e tyre. Ata i bëjnë nderimet e fundit Mandelës. Njerëzit në fakt shprehen se kanë humbur babain”.

Të burgosurit punonin për ditë në gurore, ku guri gëlqeror dëmtoi përgjithnjë shikimin e Mandelës. Qelia e vogël me lagështirë, tani e shndërruar në një memorial të kujtimit të tij, ishte gjithashtu një ndër faktorët e problemeve shëndetësore në vitet në vijim.

Por ish-të burgosurit thonë se nuk donin që ishulli Robben të bëhej një përmendore e vuajtjeve të të burgosurve, por e triumfit të shpirtit njerëzor mbi forcat e së keqes. Këtë triumf personifikonte Nelson Mandela, thotë zoti Mcongo:

"Ai ishte frymëzim për ne. Ai ishte udhëheqës i grupit tonë të të burgosurve. Ai shërbente si udhërrëfyes dhe mësues për ne. Vendi dhe bota kanë humbur një hero të një epoke tjetër”.

Shumë vizitorë shpresojnë se një vizitë në këtë ishull i ndihmon të përballojnë dhimbjen për vdekjen e Mandelës. Amanda Tshabalala është nga Kejp Tauni:

"Eshtë një mënyrë për të realizuar procesin e plotë të mbajtjes zi. Ishte një tragjedi. Nuk di si ta shpjegoj ndryshe. Na ka goditur rëndë”.

William Dikotsi nga Johanesburgu thotë se vizita në ishull e bën më të qartë veprën e Mandelës.

"Sot e kuptuam se ato që bëri Mandela ishin gjëja më e mirë për vendin. Ai arriti të shmangë gjakderdhjen. Ai shmangu ato që ndodhën në vende të tjera afrikane. Nuk humbëm një udhëheqës, humbëm një baba”.

I mbyllur pas mureve të burgut, në duart e pamëshirshme të rojeve, Nelson Mandela kaliti guximin politik që do t’i ofronte vendit një të ardhme përtej apartejdit. Tani njerëzit vijnë në këtë ishull për të nderuar këtë guxim dhe për të shprehur mirënjohjen e tyre.
XS
SM
MD
LG