Lidhje

Mandela mbetet në gjendje kritike


Presidenti i Afrikës së Jugut Jacob Zuma tha se ikona e anti-aparteidit Nelson Mandela vazhdon të mbetet në gjendje kritike, dy javë pasi ai u shtrua në spital për shkak të një infeksioni në mushkëri. Zoti Zuma tha se mjekët e kishin njoftuar se ishin duke bërë gjithçka të mundur për laureatin e çmimit Nobel për Paqe.

Në një konferencë shtypi, presidenti Jacob Zuma - duke iu referuar 94-vjeçarit të sëmurë me emrin e tij fisnor – i këshilloi sot afrikanët të luten për Mandelën.

"Me përparimin e moshës, shëndeti i tij do të fillojë t’i krijojë probleme. Dhe mendoj se ajo që duhet të bëjmë si vend është që të lutemi për të. Të lutemi që ai të jetë mirë, pra që mjekët me punën e tyre të mund ta nxjerrin nga spitali. Kjo është ajo që mund të bëjmë për Madibën si komb. Nëse e bëjmë këtë, ne nderojmë Madibën dhe jetën e tij."

Zoti Zuma e vizitoi Nelson Mandelën mbrëmë vonë në një spital të Pretorias. Presidenti tha se mjekët i treguan se po bënin gjithçka për ta shpëtuar nobelistin e paqes.
Që nga muaji dhjetor, zoti Mandela është shtruar katër herë në spital për probleme të mushkërive. Problemet e tij shëndetësore lidhen me sëmundjen e tuberkulozit që ai pati gjatë burgimit të tij 27-vjeçar në sistemin e aparteidit. Nelson Mandela u lirua në vitin 1990 dhe u zgjodh president katër vjet më vonë në zgjedhet e para demokratike në vend.

Zoti Zuma u tha gazetarëve se shëndeti i zotit Mandela nuk do të ndikojë në një vizitë të ardhshme të presidentit amerikan Barak Obama në kontinentin afrikan.
XS
SM
MD
LG