Lidhje

Jugafrikanët kujtojnë takimet me Mandelën


Pas njoftimit për vdekjen e Mandelës, stacionet e radios në Afrikën e Jugut kanë hapur linjat e komunikimit që dëgjuesit të telefonojnë për të shprehur mendime e kujtime nga Mandela. Ata që e kanë takuar personalisht thonë se ai ishte një individ që gjithmonë gjente kohë për t’u angazhuar me njerëzit.

Në 1990, Karl Soderbergh sapo kishte mbaruar studimet juridike dhe punonte në një organizatë të përqëndruar tek mbrojtja e të drejtave të njeriut:

“Kishim privilegjin të ndihmonim në organizimin e vizitës së tij në Uashington. Me këtë rast, unë isha në stadiumin Robert Kennedy të Uashingtonit, kur ai arriti në qytet. Në atë kohë isha shumë i ri, por ai kujtim nuk do të më shlyhet gjithë jetën”.


Soderbergh, i cili tani jeton në Suedi, ishte në Afrikën e Jugut për një konferencë ligjore ditët e fundit, kur dëgjoi lajmin për vdekjen e Mandelës. Ai vendosi të ndalet tek selia e qeverisë jugafrikane në Pretoria për të nënshkruar librin e ngushëllimeve para se të kthehej në Suedi. Ai kujton momentin kur e takoi Mandelën:

“Ajo që më bëri përshtypje në atë kohë dhe që nuk e kam harruar ishte fakti që ai ishte shumë i përqëndruar tek çdo person që takonte. Ai ndalej, shpenzonte kohë me secilin prej nesh. Është diçka që e respektoj shumë, pasi ai ishte një individ që kishte takuar mijëra njerëz dhe ai takim do të më mbetet gjithë jetën në kujtesë”.

Që nga e enjtja, stacioni radiofonik 702 në Afrikën e Jugut ka marrë qindra telefonata me kujtime e momente të veçanta, jo vetëm nga persona publikë, por edhe nga jugafrikanë të thjeshtë. Për shumë prej tyre, takimi me Mandelën ishte ndër momentet më të spikatura të jetës.

Desmond Jingisa, një 34-vjeçar nga Pretoria, u rrit në një familje që ushqente respekt absolut për Mandelën. I ati, me profesion arsimtar, ishte aktivist dhe i kishte folur të birit për presidentin e parë zezak të vendit. Ata ndjenin se kishin një lidhje të veçantë me Mandelën, i cili, si ata, i përkiste grupit etnik Xhosa.

Jingisa ishte 10 vjeç kur Mandela u lirua nga burgu.

“Kisha privilegjin ta shihja nga afër në 1993 kur po bënte fushatë për Kongresin Kombëtar Afrikan. Ai po i nxiste njerëzit të nxirrnin letër-njoftime dhe të dilnin për të votuar. Ishte hera e parë në Afrikën e Jugut që të gjithë do të mund të votonin”.

Megjithëse nuk kishte pasur rastin të bisedonte me Mandelën, ajo ditë mbetet e paharrueshme:

“Isha afro 14 vjeç, nuk mund të votoja. Më kujtohet se ne fëmijët donim ta preknim, por për fat të keq unë nuk arrita. Por pata mundësi ta shihja, është një ndër kujtimet më të dashura të jetës”.

Simon Delmont, një 23-vjeçar që vazhdon studimet juridike, u takua me Mandelën kur ishte në shkollë fillore në Johanesburg. Ai ndoqi të njëjtën shkollë si nipat e Mandelës. Zoti Mandela kishte qenë tri herë në shkollë gjatë atyre viteve dhe kishte bërë edhe një foto bashkë me Simon.

“Më përqafoi. Isha shumë i vogël, nuk mbaj mend shumë. Por e kujtoj që kishte ardhur në shkollë dhe që unë isha shumë i gëzuar. Ishte një ditë shumë e bukur”.

Jugafrikanët kudo që janë do të luten dhe meditojnë sot, duke kujtuar Mandelën. Një turmë e madhe pritet të mblidhet të martën për shërbesën publike përkujtimore në stadiumin FNB të Sovetos.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG