Lidhje

Ndahet nga jeta Nelson Mandela


Nelson Mandela, udhëheqësi i luftës kundër apartejdit dhe presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut vdiq dje në moshën 95 vjeçare. Zoti Mandela kaloi 27 vjet në burg duke vuajtur dënimin për rolin e tij për t’i dhënë fund sundimit të pakicës së bardhë dhe diskriminimit kundër zezakëve në Afrikën e Jugut. Pas lirimit, ai u shndërrua në symbol të paqes dhe ripajtimit dhe u nderua me Çmimin Nobel të Paqes në 1993. Një vit më pas ai u bë president i Afrikës së Jugut.



Presidenti i Afrikës së Jugut Jacob Zuma njoftoi vdekjen e simbolit të luftës kundër apartejdit, në një fjalim solemn mbrëmë, që përçoi valë keqardhjeje në të gjithë botën. Ai do të mbetet në kujtesën e njerëzve si udhëheqësi që drejtoi lëvizjen kundër regjimit racist dhe u vu në krye të një vendi të rilindur, energjik e demokratik që sot njihet si Toka e Ylberit.

Lajmi i vdekjes nuk ishte krejt i papritur, pasi Mandela ka pasur probleme të shumta shëndetësore gjatë këtij viti, si dhe duke pasur parasysh jetën e rëndë e stresuese që kishte kaluar udhëheqësi 95 vjeçar.

Nelson Mandela ishte një i ri agjitator dhe udhëheqës i Kongresit Kombëtar Afrikan, të nxjerrë jashtë ligji nga autoritetet, i cili i kundërvihej regjimit racist, të drejtuar nga pakica e bardhë. Zoti Mandela udhëhoqi krahun e armatosur të organizatës dhe si rezultat u ndëshkua me burgim për 27 vjet. Në atë kohë ai dhe atdheu i tij po përjetonin periudhën më të errët.
Por Mandela karizmatik arriti të ruante vendosmërinë e tij dhe të udhëhiqte luftën nga burgu. Përpjekjet e tij u kurorëzuan me sukses, pas rrëzimit të apartejdit dhe zgjedhjes së tij si presidenti i parë zezak i vendit në zgjedhjet e para gjithë-përfshirëse në 1994.

Megjithëse shërbeu vetëm për një mandat si president, ai do të kujtohet për betejën që udhëhoqi, për rolin e tij si aktivist, drejtues, burrë shteti dhe simbol paqeje.

Detyra e rëndë për të informuar vendin për vdekjen e Mandelës i ra Presidentit Jacob Zuma, një udhëheqës i njohur për humor të mirë dhe natyrë të hareshme, i cili dje nuk e fshihte dot dhimbjen për humbjen e atij që shumë afrikano-jugorë e konsiderojnë si babai i kombit.

"Sot kemi në mendimet tona ata njerëz në mbarë botën që e përqafuan Mandelën sikur të ishte pjesë e kombeve të tyre dhe që iu bashkuan kauzës së tij si të ishte kauza e tyre. Kombi ynë ka humbur birin e tij më të mirë. Por ajo që e dallonte më së shumti Mandelën, është gjithashtu cilësia që e bënte më njerëzor. Ne gjenim tek ai atë që kërkonim tek vetja, ne shihnim tek ai aq shumë nga ato që kishim brenda vetes”.

Sot është një ditë e zymtë në Tokën e Ylberit.
XS
SM
MD
LG