Lidhje

Kina po vazhdon spiunazhin ekonomik ndaj SHBA-ve


Një kompani e njohur e sigurisë kibernetike thotë se njësia ushtarake kineze e cila kohët e fundit u akuzua për spiunazh kibernetik kundër Shteteve të Bashkuar po vazhdon aktivitetet e saj të piraterisë.

Kompania Mandiant, e cila për herë të parë publikoi një raport që dokumentonte dyshimet për sulmet kibernetike ndaj bizneseve amerikane nga një njësi e Ushtrisë Çlirimtare Popullore (PLA) në Shanghai, thotë se grupi të cilin ajo e quan APT1 është ende duke u përpjekur të vjedh të dhëna nga korporatat amerikane.

Richard Bejtlich, Shefi i Sigurisë në kompaninë Mandiant, i tha shërbimit kinez të Zërit të Amerikës se firma e tij vazhdon të monitorojë aktivitetet e grupit.

Lajmi vjen ndërkohë që një firmë tjetër amerikane e sigurisë njoftoi të hënën se ka dëshmi se një njësi tjetër e Ushtrisë Çlirimatare Popullore gjithashtu është përfshirë në pirateri dhe sulme kibernetike kundër agjencive qeveritare Perëndimore dhe kontraktuesve të Departamentit të Mbrojtjes që nga viti 2007. Kompania CrowdStrike tha se sulmet kibernetike kishin në shënjestër sektorët amerikanë të hapësirës, aviacionit dhe atë të komunikimit.

Kina ka mohuar se ushtria e saj është përfshirë në vjedhjen e të dhënave nga bizneset amerikane. Pas ngritjes së akuzave ndaj pesë anëtarëve Ushtrisë Çlirimtare Popullore nga Shtetet e Bashkuara muajin e kaluar, Pekini protestoi duke pezulluar një grup të përbashkët pune me Uashingtonin në fushën e internetit.
XS
SM
MD
LG