Lidhje

Shqipëri, pedofili vrasës dyshohet për krime të tjera


Përrenjasi, u kap pasi kishte rrëmbyer një fëmijë 10 vjecar në zonën e Laprakës në Tiranë. Ai pranoi të ishte autori i rrëmbimit edhe I fëmijës Julian Cela në dhjetor, të cilin pranoi se e ka vrarë

Në Shqipëri, maniaku pedofil Ardian Përrenjasi, i cili u kap të dielën pasi kishte rrëmbyer dhe abuzuar me një fëmijë 10 vjecar e që ka pranuar të ketë vrarë një tjetër fëmijë të rrëmbyer dhjetorin e kaluar, dyshohet të jetë autor i së paku edhe një krimi tjetër.

Sot Përrenjasi, i shoqëruar nga policia dhe prokurorët e cështjes, ka rindërtuar skenën e rrëmbimit dhe të vrasjes së 11 vjecarit Julian Cela. Ai ka treguar se ka mundur ta fusë në shtëpinë e tij, në Laprakë, një lagje në periferi të Tiranës, ku më pas e ka vrarë duke e mbytur pasi fëmija kishte nisur të bërtiste. Trupin e tij të mbështjellë me batanije e ka hedhur më pas në një kosh me plehra, ndërsa ka thënë se ka shkuar të nesërmen në vendgrumbullimin e mbeturinave të kryeqytetit për të verifikuar nëse trupi i fëmijës gjendej apo jo aty.

Për më shumë se tre muaj hetimet për zhdukjen e 11 vjecarit nuk nxorrën asgjë në dritë. Përrenjasi u kap vetëm pas rrëmbimit të fëmijës së dytë, I cili banonte shumë pranë apartamentit ku jetonte maniaku 45-vjecar. Policia ka arritur të ndërhyjë në kohë ditën e dielë, pasi sipas të dhënave, dyshohet se Përrenjasi po përgatitej ta vriste dhe atë. Në banesë i është gjetur një litar, i bërë lak, me të cilin dyshohet se do të përpiqej ta mbyste. Fëmija 10 vjecar është gjetur me shenja dhune në trup dhe dyshohet se me të është abuzuar edhe seksualisht.

Përrenjasi ishte kapur 5 vjet më parë dhe arrestuar pasi ishte përpjekur të rrëmbente një tjetër fëmijë. Ai u dënua megjithatë vetëm me 60 mijë lekë gjobë. Ministria e Drejtësisë njoftoi sot se ajo do të shqyrtojë dosjen e këtij procesi dhe arsyet që cuan në lënien e tij të lirë.
XS
SM
MD
LG