Lidhje

Manjati i hoteleve parashikon një të ardhme të mirë për industrinë

  • Jeff Seldin

Manjati i hoteleve parashikon një të ardhme të mirë për industrinë

Manjati i hoteleve parashikon një të ardhme të mirë për industrinë

Njeriu që cilësohet si personi që shndërroi kioskën e pijeve freskuese të të atit në një linjë ndërkombëtare hotelesh do të japë dorëheqjen, pas 39 vjetësh në postin drejtues të kompanisë Marriott International. Ky ndryshim në drejtimin e kompanisë vjen pas një rritjeje të shpejtë të saj në Kinë dhe në vende të tjera në zhvillim. Jeff Seldin i Zërit të Amerikës zhvilloi një intervistë me zotin Bill Marriott në një takim të organizuar me rastin e largimit të tij nga posti, ku ai foli mbi ndryshimet dhe zgjerimin e industrisë ndërkombëtare të hotelerisë.

Marriott International është një perandori hotelesh e ndërtuar mbi një recetë të thjeshtë për arritjen e suksesit.

“Trajto mirë punonjësit dhe ata do të trajtojnë mirë klientët. Kjo gjë vlen kudo në botë. Nuk ka rëndësi se në cilin shtet ndodhesh, pasi kushdo ka dëshirë të trajtohet me ngrohtësi, me kujdes, ushqim të mirë, ushqim të ngrohtë kur duhet të jetë i ngrohtë dhe i ftohtë kur ushqimi duhet i ftohtë. Ata duan të kenë një eksperiencë të mirë.”

Bashkëpunëtorët por edhe konkurrentët e tij në biznes i japin 79 vjeçarit Bill Marriott meritën për arritje të jashtëzakonshme, me anë të përdorimit të kësaj praktike së bashku me stilin e tij. Këto kanë ndihmuar sipas tyre në shndërrimin e asaj që filloi me një kioskë për shitjen e pijeve freskuese e më pas me një linjë restorantesh në një aktivitet ndërkombëtar me 3 mijë e 600 hotele në më shumë se 70 vende, ende në zgjerim e sipër.

Tani do të jetë detyrë e shefit të ardhshëm ekzekutiv Arne Sorenson, i cili fillon punën në postin e ri në muajin mars, të vazhdojë rritjen ndërkombëtare të kompanisë.

“Ne mendojmë se ndodhemi në agimin e një epoke të re të artë për industrinë e udhëtimeve. Dhe kjo periudhë e artë për udhëtimet po udhëhiqet nga rritja e e jashtëzakonshme e vendeve në zhvillim. Kina, India dhe Brazili njihen nga kushdo. Por edhe në shumë tregje të Afrikës nën-Sahariane ka rritje të mëdha.”

Si zoti Sorenson, ashtu edhe zoti Marriott, i cili do të qëndrojë në këshillin drejtues të kompanisë, thonë se ekzistojnë arsye për t’u shqetësuar, veçanërisht për shkak të krizës së borxheve të Evropës dhe për shkak të ngjarjeve të Pranverës Arabe ende në vazhdim. Por ata theksojnë se nuk ka mungesë kërkese apo mundësish.

“Aktiviteti po shkon mirë në Afrikën nën-Sahariane. Ne po përhapemi në disa vende atje dhe mendojmë se atje ka mundësi mjaft të mira. Ata kanë shumë rezerva mineralesh. Ata kanë vende të pasura me naftë. Ata zotërojnë shumë gjëra të cilat bota do të vazhdojë t’i blejë. Kjo do të sjellë zhillim dhe rritje ekonomike në Afrikën nën-Sahariane dhe ne duam të jemi pjesë e kësaj rritjeje.”

Kompania Marriott International njoftoi se fitimet e saj për vitin 2010 kapën vlerën 12 miliardë dollarë, dhe ajo thotë se ka rritje të shpejtë në Kinë dhe Brazil.

XS
SM
MD
LG