Lidhje

Rihapet Muzeu i Njerëzimit në Paris


Pas gjashtë vjet renovimesh, Muzeu i Njerëzimit në Paris do të rihapet për vizitorët. Megjithëse fasada e jashtme e ndërtesës në sheshin e famshëm Trokadero ka mbetur e pandryshuar, brenda vizitorët do të gjejnë ekspozita krejtësisht të reja që ofrojnë një vështrim të ri mbi historinë dhe evolimin e njerëzimit. Muzeu i renovuar u inaugurua sot nga Presidenti Francois Hollande dhe do të hapet për publikun të shtunën.

Muzeu premton të rrëfejë historinë e njerëzimit. Kuratorja Evelyne Heyer shpjegon se ekspozitat janë organizuar për t’iu përgjigjur tri pyetjeve themelore:

“Kush jemi ne? Pra, çfarë është njerëzimi? Në këtë aspekt ne tregojmë se njeriu është pjesë e gjallesave frymore, një krijesë në ndërveprime biologjike dhe kulturore. Një tjetër pyetje është: Nga ka ardhur njerëzimi. Pra historia e evolucionit të species sonë, periudhat e përhapjes dhe më pas edhe periudha e Neolitit, kur njeriu filloi të krijonte vendbanesa të përhershme. Dhe e treta është pyetja e së ardhmes. Ku po shkojmë? Këtu përqëndrohemi tek globalizimi, ndikimi i njeriut tek mjedisi dhe e ardhmja jonë biologjike”.

Në renditje kronologjike shpaloset historia e evolucionit të njeriut që nga kafka e paraardhësit më të hershëm e deri tek njeriu modern, ndër të cilët Rëne Dekart, filozofi i famshëm francez.

“Si filozof, si themelues i shkollës moderne të mendimit në Francë, ishte e rëndësishme ta përfshinim në Muzeun e Njerëzimit”. “Kafka e tij është më e vogël se normalja. Ishte një kafkë e vogël me një tru të vogël”.

Muzeu përfshin disa nga koleksionet më të mëdha dhe më të rëndësishme të studimit të historisë së njerëzimit. Kuratorja Heyer thotë se studimi i kësaj historie ka ndryshuar me kalimin e viteve dhe tani shkencëtarët i kushtojnë më tepër vëmendje ndërlidhjes së mjedisit biologjik dhe aspekteve kulturore në funksionimin e qenies njerëzore:

“Njerëzimi nuk ka ndryshuar, por shkenca që studion evolimin e njeriut ka ndryshuar. Duhet të kuptojmë më së miri aspektet kulturore dhe biologjike të ekzistencës së njerëzimit. Kjo na ndihmon të parashikojmë edhe ndikimin e realitetit të sotëm tek e ardhmja e njerëzimit”.

Duke e prezantuar rrugëtimin e njerëzimit në etapa të veçanta, muzeu ofron një vështrim mbi evolimin e njerëzimit si specie biologjike, sociale dhe kulturore nëpër shekuj.

Një vend të veçantë zë ekspozimi i larmisë racore të njerëzimit për të dëshmuar diversitetin e species. Vizitorët mund të njihen edhe me 7000 gjuhët e ndryshme që fliten sot në botë. Rreth 75% e popullsisë së botës flet gjashtë gjuhë të ndryshme, por ka edhe gjuhë si Yonaguni që fliten vetëm nga 800 vetë në Japoni.

Në ekspozitat e fundit të muzeut, vizitorët ndodhen përballë historisë njerëzore të ditëve moderne dhe ndikimit që ka veprimtaria e njeriut tek mjedisi, si një parathënie për të ardhmen që e pret njerëzimin. Muzeu hapet të shtunën dhe për tri ditë vizitat në muze do të jenë falas.

XS
SM
MD
LG