Lidhje

E pandryshuar akt-padija në çështjen Manning

  • Luis Ramirez

Një gjykatës ushtarak në shtetin e Merilendit nuk ka pranuar të heqë nga aktpadia kundër Bradley Manning disa akuza të rëndësishme. Manning akuzohet se ka nxjerrë mijëra dokumenta secrete që u publikuan nga faqja WikiLeaks.

Manning ka pranuar tashmë fajësinë ndaj akuzave për nxjerrjen e dokumentave. Kjo akuzë mund të rezultojë në një dënim me burgim deri në 20 vjet. Gjykatës ushtarak që dëgjoi dje çështjen Manning hodhi poshtë kërkesën e avokatëve të tij për të hequr akuzat se i pandehuri ka ndihmuar armikun. Nëse shpallet fajtor për këtë akuzë, ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm.

Avokatët e tij argumentojnë se Manning nuk kishte kurrë synim të ndihmonte armiqtë e Shteteve të Bashkuara, megjithëse informatat e nxjerra nga i pandehuri janë lexuar nga ish-udhëheqësi i al-Kaidës Osama bin Laden.

Në vendimin e tij, gjykatës shprehet se Manning duhet të kishte ushtruar gjykim më të mirë. I pandehuri ishte analist i informatave të shërbimeve të zbulimit dhe gjykatësi tha se përgatitja dhe stërvitja që kishte marrë ia ka bërë të qartë se materialet që ai nxori do të shfrytëzoheshin nga terroristët.

Përkrahësit e të pandehurit kanë argumentuar se ai veproi në të mirë të interesave kombëtare amerikane duke eskpozuar ato që ai besonte se ishin shkelje nga forcat amerikane gjatë luftës në Irak.

Materialet që nxori Manning përfshinin një video ku shihen ushtarë amerikanë në Bagdat në momentin kur hapin zjarr kundër një grupi civilësh, ku përfshiheshin edhe gazetarë që punonin për agjencinë perëndimore të lajmeve Reuters.

Larry Korb ka qenë Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes dhe tani punon si analist për Qendrën për Përparim Amerikan – një grup kërkimor në Uashington. Ai thotë se nxjerrja e informatave, megjithëse ishte e paligjshme dhe vuri në pozitë të vështirë qeverinë amerikane, ka shërbyer për të informuar publikun amerikan

"Nëse analizojmë Irakun, ka plot gjëra që ndodhën atje që qeveria nuk do të bëhen publike, pasi cënojnë reputacionin tone në botë. Por ne si amerikanë duhet t’i dimë këto gjëra”.

Aktivistët kanë shprehur revoltim ndaj vendimit të gjykatësit për të mbajtur në akt-padi akuzën se Manning ka ndihmuar armikun. Ata thonë se si rezultat trajtimi i çështjes së reshterit Manning në këtë mënyrë, do të influencojë mënyrën si qeveria trajton çështjen e kotraktorit qeveritar Edward Snowden.

Zoti Korb thotë se çështja Mannind mund të ketë një efekt shkurajues në të ardhmen ndaj atyre individëve që duan të ekspozojnë probleme në operacionet qeveritare:

"Ai pohoi fajësinë për nxjerrjen e dokumentave pa autorizim. Nuk iu kundërvu akuzave. Ai e kishte të qartë se çfarë po bënte dhe se do të ndëshkohej. Por dikush tjetër do të mendojë: “Nëse bëj një gjë të tillë, a ia vlen që të kaloj 20 vjet jetë në burg?”

Procesi gjyqësor do të vazhdojë me argumentat përmbyllëse. Më pas gjykatësi do të japë vendimin, pasi Manning ka hequr dorë nga e drejta që vendimi në çështjan e tij të merret nga një gjykatë ushtarake.
XS
SM
MD
LG