Lidhje

Ushtria amerikane eliminon udhëheqësin taliban Mansoor


Agjencia afgane e zbulimit konfirmoi vrasjen e udhëheqësit taliban Mullah Akhtar Mansoor nga një goditje ajrore amerikane në Pakistan, pranë kufirit me Afganistanin.

Pakistani tha se autoritetet amerikane e kishin informuar për goditjen e realizuar. Zyrtarët pakistanezë reaguan me revoltim ndaj Uashingtonit për shkeljen e sovranitetit të Pakistanit. Islamabadi nuk e konfirmoi menjëherë vrasjen e Mansoorit.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha se SHBA pati arsye të forta për gjurmimin e Mansoor-it.

“Shtetet e Bashkuara kryen një sulm ajror me objektiv udhëheqësin taleban Mullah Mansoor, në një zonë pranë kufirit Afganistan – Pakistan. Mansoor përbën rrezik të vazhdueshëm ndaj personelit amerikan në Afganistan, ndaj civilëve afganë, forcave afgane të sigurisë dhe anëtarëve të koalicionit në mbarë vendin.”

Zyrtarët talibanë kanë konfirmuar privatisht vrasjen e udhëheqësit të tyre, por nuk pranojnë të identifikohen duke thënë se fjala përfundimtare do të thuhet nge Rahbani Shura, siç njihet këshilli udhëheqës i organizatës.

Droni e kreu sulmin të shtunën në Dalbandin, në provincën pakistaneze të Baluçistanit, sipas agjencisë afgane të zbulimit, NDS.

Zyra e Presidentit afgan Ashraf Ghani tha se udhëheqësi taleban ishte “i angazhuar në trafikun e drogës dhe terrorizëm, ndërkohë që gjymtonte dhe vriste afganë të pafajshëm”.

Sipas spitalit civil në qytetin Quetta, dy trupa u transportuan pas goditjes së një taksie. Personat mbanin pasaporta pakistaneze, me emrat Mohammad Azam dhe Wali Mohammad, dhe në to kishin viza saudite dhe iraniane. Fotografia në pasaportën e pasagjerit, i korrespondon udhëheqësit taleban Mullah Mansoor.

Eliminimi i tij është një goditje kritike ndaj talebanëve, fraksionet e të cilëve janë angazhuar në një luftë të brendshme që nga muaji korrik.

XS
SM
MD
LG