Lidhje

Maqedoni: 20 të arrestuar në lidhje me vrasjen e pesë personave


Në Maqedoni, janë arrestuar sot 20 persona, në lidhje me vrasjen e pesë maqedonasve para dy javësh dhe se kundër tyre do të ngrihen akt-akuza për terrorizëm. Ministria e Punëve të brendshme tha se ka zbuluar autorët e vrasjes dhe se disa prej tyre kanë qenë drejtpërdrejt të përfshirë me vrasjen pranë liqenit të fshatit Smilkovcë.

Ministrja Gordana Jankullovska u tha mjeteve të informimit se bëhet fjalë për një grup nga Shkupi - ithtarë të islamizmit radikal. Të ndaluarit, sipas policisë, kanë luftuar në Afganistan dhe në Pakistan kundër trupave të Natos. Organet e rendit i arrestuar 20 personat gjatë bastisjes herët në mëngjes të shumë shtëpive në lagjet Çair dhe Gazi Babë.

Mes të arrestuarve ka dhe persona për të cilët organet e rendit nuk kanë të dhëna, sipas ministres Jankullovska. Pjesa më e madhe e tyre kanë shtetësi të Maqedonisë. Policia nuk e ka bërë të ditur identitetin e personave të dyshuar. Lagjet ku janë ndaluar ata, janë të banuar kryesisht nga shqiptarë.

Ministria e rendit thotë se operacioni i mëngjesit të sotëm ka qenë më i ndërlikuari që lidhet me vrasjet pranë liqenit të Smilkovcës. Gjatë bastisjeve në 26 objekte dhe shtëpi, gjithnjë sipas njoftimeve nga organet e rendit, është gjetur një sasi e konsiderueshme armësh, ndërkohë që po bëhen ekspertiza nëse ato janë përdorur në vrasjen e pesëfishtë.

Ministrja tha se motivi kryesor i autorëve me siguri ka qenë vrasja në emër të islamit radikal dhe se ata kanë pasur për qëllim krijimin e ndjenjës së frikës tek publiku më i gjerë. Autoritetet thonë se po e ndjekin me vëmendje gjendjen e sigurisë në vend.

XS
SM
MD
LG