Lidhje

Vazhdon gjendja e rëndë në zonat e përmbytura në Maqedoni

  • Isak Ramadani

Gjendja në fshatrat Hasanbeg dhe Stajkovcë të Shkupit të goditura nga vërshimet e së shtunës vazhdon e rëndë; banorët janë pa energji elektrike, ndërsa përpiqen të pastrojnë shtëpitë dhe oborret nga ato që la pas përmbytja. Shkupi ka qenë i përmbytur edhe para 54 vjetësh por pa pasoja në njerëz. Tash sipas të dhënave zyrtare numërohen 21 të vdekur e dhjetëra të lënduar. Ndër viktimat ka edhe persona, të cilët u bllokuan me makina në qarkoren e Shkupit.

​Banorët e Hasanbegut thonë se pasojat mbase do të ishin më të vogla nëse autoritetet do të kishin rregulluar kanalet e zëna prej vitesh.

“Popullata, në radhë të parë ka nevojë për pastrimin e shtëpive, megjithëse jemi mirënjohes edhe për ndihmat e dhëna. Më së shumti, dëmi bëhet nga ky kanal, i cili nuk u realizua me vite... që të pastrohet një herë e përgjithmonë, të mbulohet...”, thotë Ferid Ajeti, banor. Ai shton se në lagjen e tij ka dy persona të vdekur dhe një i zhdukur.

“Kemi probleme me rrymën. Kanë ardhur nga komuna na kanë thënë se do të rregullohet, por gati katër ditë që presim dhe nuk bëhet”, thotë Enver Abazi.

Stojçe Fikirov thotë se në bazë të një përllogaritjeje të shpejtë dëmi që ka pësuar në shtëpi është 20 000 Euro.

Ai thotë se familja e tij ka nevojë të vendoset dikund, se pajisjet, mobiljet e gjithçka tjetër janë shkatërruar nga vërshimet.

Kompani private dhe individë po ndihmojnë me furnizime, ndërsa një numër komunash të Maqedonisë kanë dërguar mjete motoristike për pastrimin e rrugëve. Safet Neziri është zyrtar qeveritar, por në këtë rast bën punën e aktivistitit për menaxhimin e ndihmave për banorët e prekur.

Prej mbrëmë ka filluar në mënyrë intensive me të gjitha mekanizmat që t’i pastrojnë rrugët, shtëpitë, kanalet dhe kanalizimet. Vërtetë kjo punë ndoshta nuk mund të shkojë shpejt sepse është një vërshim tepër i madh... Nuk mund të parashikoj se sa do të zgjasë, derisa të shohim rezultatet e para”, thotë Neziri.

Sot në Maqedoni është ditë zie. Qeveria dhe autoritetet lokale janë angazhuar për kompensimin material, në radhë të parë të familjeve të viktimave. Komuniteti ndërkombëtar u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave dhe gatishmëri për të ndihmuar në kapërcimin e gjendjes së rëndë.

XS
SM
MD
LG