Lidhje

Gruevski para komisionit hetimor


Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski u paraqit sot para komisionit hetues në Parlament për t’iu përgjigjur pyetjeve lidhur me skandalin e përgjimeve. Seanca u zhvillua pa praninë e medias. Zoti Gruevski, para se të hynte në seancë, u tha gazetarëve se dëshironte të përgjigjej në një atmosferë të qetë, prandaj kishte kërkuar që seanca të jetë e mbyllur.

Ai tha se do t’u përgjigjej të gjitha pyetjeve dhe interesimit të anëtarëve të komisionit, ndërkohë që akuzoi kryetarin e Komisionit, Petre Shilegov dhe Lidhjen Social Demokrate të opozitës të kishin bërë përpjekje për nxitjen e krizës në këtë komision, me që ai nuk arriti të paraqitej në ftesën e parë, para pak ditësh. Ligjvënësit opozitarë ishin shprehur atëherë se zoti Gruevski nuk do të vinte në seancë për të zvarritur, në këtë mënyrë, zbardhjen e çështjes dhe zbatimin e reformave të tjera.

Dhe, megjithëse Komisioni as kryeministri Nikolla Gruevski nuk kanë dhënë hollësi lidhur me rrjedhën e seancës së të hënës, zoti Gruevski tha se ajo regjistrohet dhe stenografet do të bëhen publike. Por, kryetari i komisionit hetues, Petre Shilegov e thotë të kundërtën, se bisedat e regjistruara në komision janë sekrete.

Sipas nenit 3 të Vendimit për themelimin e Komisionit hetues-anketues për përgjimet, dëshmitë janë publike, përveç nëse nuk vendoset ndryshe sipas Regullores së Parlamentit. Secili dëshmitar ose ekspert i ftuar për të dhënë deklaratë para Komisionit hetues ka të drejtë të kërkojë dhe t’i mundësohet seancë e mbyllur e Komisionit, thotë z. Shilegov.

Skandali i përgjimeve u publikua në fillim të vitit nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) e opozitës maqedonase. Në bisedat telefonike, për të cilat LSDM thotë se janë me mijëra, dëgjohen bartës funksionesh shtetërore, në mesin e tyre edhe vetë kryeministri Gruevski, ministra dhe drejues të tjerë politikë. Në bisedat telefonike të zotit Gruevski dhe disa ministrave të tij dhe funksionarëve të tjerë, bëhej fjalë për manipulime të ndryshme, zgjedhore, për biznese, në gjyqësor, media, etj.

Çështja thelloi krizën politike në vend dhe gjendja filloi të shtensionohej vetëm pas arritjes së marrëveshjes në qershor dhe korrik, me ndërmjetësimin e komisionerit për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn dhe komunitetit ndërkombëtar. Por, jo të gjitha reformat që dalin nga kjo marrëveshje janë miratuar. Dhe kjo zvarritje, sipas vlerëimeve të analistëve në Shkup, mund të kenë ndikim negativ, eventualisht të shtyjnë edhe datën e zgjedhjeve të parakohshme, të planifikuar për më 24 prill të vitit ta ardhshëm.

XS
SM
MD
LG