Lidhje

Maqedoni: Ivanovski mohon se ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete

  • Isak Ramadani

Maqedoni: Ivanovski mohon se ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete

Maqedoni: Ivanovski mohon se ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, Trendafil Ivanovski hodhi poshtë pohimet e Komisionit për Verifikimin e Fakteve i cili ka noftuar se zoti Ivanovski ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete në të kaluarën. Zoti Ivanovski mendon se është viktimë e dy sistemeve, atij komunist dhe këtij aktual, ndërkohë që paralajmëron se do të ankohet në instancat më të larta gjyqësore për zbardhjen e së vërtetës. Ligji për pastërtinë e figurave përfshin personalitetet publike që nga periudha e pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1991. Ai ka nxitur mjaft debate edhe para miratimit ndërsa ekspertë ligjorë kanë komentuar se ligji do të shërbejë për “gjuetinë e shtrigave”.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, Ivanovski e quan satanizim dhe jo lustracion procesin e pastërisë së figurave nga ana e Komisionit për Verifikimin e Fakteve. Ky Komision sot i dërgoi me shkrim vendimin zotit Ivanovski se në bazë të kërkimeve në arkivat e shtetit dhe në institucionet përkatëse del se ai ka bashkëpunuar me shërbime sekrete në të kaluarën.

Z. Ivanovski thotë se nga mesi i viteve ’60 e kishin marrë në pyetje dhe keqtrajtuar inspektorë të shërbimit sekret me që i përkiste një organizate me pikëpamje nacionaliste që synonte pavarësimin e Maqedonisë. Në atë kohë kur, siç pohon, ka qenë madje në moshë të mitur, ai është angazhuar për një Maqedoni të madhe, ndërkohë që pas kërcënimeve për likudim fizik dhe pas keqtrajtimeve, ai ka treguar emrat e shokëve të grupit.

Por Komisioni për Verifikimin e Fakteve thotë se udhëhiqet në bazë të dokumentacionit të arkivave dhe nuk merr parasysh deklaratat e tashme të një personi publik, historia e të cilit po hetohet sipas ligjit.

“Do të ankohem në Gjykatwn e Administrative dhe në atë të Lartë dhe nëse nuk gjej mirëkuptim, atëherë ankesën do ta procesoj tek organe të tjera demokratike, sepse ky front nuk është individual por më i gjerë”, paralamëron Z. Ivanov.

Ai thotë se nuk ka ndonjë përkrahje politike prandaj dhe ka rënë viktimë, ndërkohë që bën të ditur se nuk do të tërhiqet nga posti, se në të kundërtën do ta pranonte fajin.

Komisioni maqedonas i Helsinkit ka komentuar sot se lustracioni i mangët që është në proces, i ka rrënjët në ligjin e mangët dhe tek politika që e miratoi atë për pastërtinë e shoqërisë nga njerëzit të cilët, siç qëndron në komunikatën e Komitetit të Helsinkit, “përmes bashkëpunimit me strukturat e sigurisë kanë marrë në qafë shumë njerëz”.

Anëtarët e Komsisionit për Verifikimin e Fakteve janë të zgjedhur me propozimin e partive kryesore në vend.

Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, i cili ka thënë këto ditë se vendimet dhe legjitimiteti i Gjykatës Kushtetuese tashmë vihen në pikëpyetje, sot gjatë një seance pyetje përgjigjesh në Parlament është shprehur se qeveria e tij i zbaton të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por ai sikurse çdo individ tjetër ka të drejtë të komentojë mbi punën e kësaj gjykate dhe çdo organi tjetër.

Rasti i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese është i pari që është bërë publik. Deri tani askush prej personaliteteve politike nuk ka rezultuar zyrtarisht të ketë qenë informator apo bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete.

XS
SM
MD
LG