Lidhje

Kriza në Maqedoni kërkon masa të shpejta dhe domethënëse


Kriza politike në Maqedoni është bërë burim shqetësimi për Shtetet e Bashkuara dhe interesa të tjera ndërkombëtare. Komuniteti ndërkombëtar u ka bërë thirrje udhëheqësve të Maqedonisë të ndërmarrin hapa konkrete në mbështetje të demokracisë me synim dhënien fund të krizës.

Senatori i Shteteve të Bashkuara, Chris Murphy, u shpreh në një intervistë për Zërin e Amerikës se është shumë i shqetësuar nga kthimi prapa në Maqedoni, për sa i përket “respektimit të shtetit ligjor, të drejtave të njeriut, dhe të lirisë së shtypit”.

Në lidhje me skandalin e përgjimeve që ka përfshirë vendin gjatë këtij viti, Senatori Murphy tha se qeveria duhet të ndëmarrë “një angazhim absolut për të respektuar të drejtat e qytetarëve të saj, për të riparuar dëmin e bërë nga këto zbulime vërtet të dëmshme rreth sjelljes së tyre”.

Skandali ka zbuluar të dhëna se qeveria e Maqedonisë ka përgjuar telefonat e rreth 20 mijë personave, përfshirë dhjetëra gazetarë, në një periudhë disa vjeçare.

Shtetet e Bashkuara nuk duhet ta marrin të mirëqenë se Ballkani është tashmë një rajon në paqe, tha zoti Murphy, por duhet të luajë një rol më aktiv se ç’po luajnë aktualisht, për të parandaluar rritjen e tensioneve dhe shtrirjen drejt vendeve fqinje. “Valët e tensioneve që shpërthyen në një luftë rajonale vetëm një dekadë më parë, janë ende në lëvizje”, tha ai.

Rajon me rëndësi të veçantë

Ka shumë punë të pambaruara në Ballkan, thotë Luke Coffey, studiues në Fondacionin “Heritage”. Ai shton se: “Në këtë moment do të ishte tragjedi për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën që t’i kthenin shpinën një rajoni, i cili është jo vetëm i rëndësishëm për Evropën nga pikëpamja historike, por i cili është i rëndësishëm edhe për vetë stabilitetin e Evropës”.

Shtetet e Bashkuara duhet ta shikojnë si mundësi situatën aktuale “për të ringjallur debatin brenda Evropës në lidhje me anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike, si NATO dhe Bashkimi Evropian”, thotë zoti Coffey. Ai shton se “nëse Maqedonia do të ishte anëtarësuar në këtë institucione vite më parë, shumë prej problemeve politike me të cilat përballet vendi sot, nuk do të ishin të tilla”.

Daniel Serwer, profesor për menaxhimin e konflikteve në Shkollën Johns Hopkins për Studime të Avancuara Ndërkombëtare, thotë se “Maqedonia është qartazi në një krizë”. Megjithëse vendi është një demokraci, momentalisht “nuk ka një funksionim normal të demokracisë”, thotë ai.

Ndërkombëtarët kanë ravijëzuar se çfarë duhet të bëjë Maqedonia për të dalë nga gjendja aktuale, thotë zoti Serwer. Vendi duhet të ndëmarrë veprime konkrete në mbështetje të demokracisë, si p.sh. të nxisë shtypin e lirë, gjykatat e pavarura, dhe t’i japë fund abuzimit me pushtetin, shton ai. Shkarkimi i dy ministrave të qeverisë dhe të kreut të shërbimit të zbulimit janë një lëvizje në këtë drejtim, por duhen ndërmarrë më tepër hapa konkrete, thotë zoti Serwer.

Një krizë serioze

Maqedonia gjendet në një krizë serioze, thotë Edward Joseph, drejtor ekzekutiv i Institutit për Çështjet Aktuale Botërore. “Kjo është një pasqyrë e tmerrshme e gjendjes së demokracisë, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në të gjithë rajonin, kur situata vjen në përplasje të tilla. Duhet të presim se çfarë do të bëjë qeveria për të trajtuar akuzat serioze që i janë bërë”, thotë zoti Joseph.

Ai shton se për t’i dhënë fundi krizës, Maqedonia duhet të pranojë përgjegjësitë e saj për të gjitha pikëpyetjet shumë serioze që u ngritën për përgjimet. “Nëse këto përgjime janë të vërteta, dhe nëse ato që thuhen aty janë të sakta, atëherë gjërat janë jashtëzakonisht serioze dhe një akuzë e hatashme ndaj angazhimit të qeverisë për demokracinë”, thotë zoti Joseph, për të cilin është absolutisht e domosdoshme një hetim i plotë i këtyre akuzave.

Kryeministri Nicola Gruevski duhet të marrë konsideratë menjëherë dhënien e dorëheqjes, thotë zoti Joseph, dhe se në sistemin parlamentar të Maqedonisë, situata aktual tregon “një mungesë të plotë, të hapur, dhe masive të besimit në qeverisjen e tij”.

Skandali i përgjimeve ngriti pikëpyetje për nivelin e kontrollit të ushtruar nga qeveria mbi mediat, gjykatësit, dhe proçeset zgjedhore gjatë nëntë viteve në pushtet të qeverisë Gruevski.

Si pasojë e këtij skandali, përplasje ndërmjet personave të armatosur dhe policisë në qytetin e Kumanovës gjatë këtij muaji, lanë 22 persona të vdekur.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG