Lidhje

Kurban Bajrami në Maqedoni


Klerikët fetarë, drejtuesit shtetërorë e politikë kanë uruar besimtarët për mirësi, begati dhe paqe në ketë festë

Kurban Bajrami sot kremtohet edhe në Maqedoni; ndërkohë që ka pasur debate për shkak se festa nuk shënohet në një ditë me të gjithë botën islame. Klerikët fetarë, drejtuesit shtetërorë e politikë kanë uruar besimtarët për mirësi, begati dhe paqe në ketë festë, e cila shquhet për solidaritetin dhe bamirësinë.

Xhamitë e Maqedonisë mbushen përplot me besimtarë muslimanë që në orët e para të mëngjesit në festat e Bajramit dhe pas faljes së namazit, besimtarët vizitojnë dhe urojnë të afërmit. Vizitojnë dhe varrezat. Ky Bajram megjithatë është shoqëruar me mjaft debate në radhët e besimtarëve se pse duhej të ndodhte kjo ndarje, si bie fjala Në Kosovë dhe në botën arabe kremtohet nesër Bajrami. Por hoxhallarët kanë bindur shumicën e besimtarëve që të veprojnë në bazë të vendimeve të drejtuesve të Bashkësisë Islame.

Festa e Kurban Bajramit paraqet dashurinë, respektin dhe nënshtrimin ndaj porosive hyjnore, thonë teologët e fesë islame, duke shtuar se fryma e kësaj feste është mishërim i realitetit, i sinqeritetit dhe i përkushtimit ndaj vlerave humane.

Në mungesë të kryetarit të bashkësisë fetare Islame të Maqedonisë Sulejman Rexhepi i cili ndodhet në Haxh, në emër të tij Kurban Bajramin besimtarëve muslimanë ua ka uruar Fahredin Hebibi, dekan i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup.

“Festa e Kurban Bajramit në mënyrë simbolike paraqet flijimin, përkatësisht kurbanin, akt ky i cili ngërthen në vete kuptime sublime me efekte pozitive gjithpërfshirëse; paraqet flijimin për çështje madhore; përkushtimin ndaj idealeve dhe arritjen e kënaqësisë së përhershme të Krijuesit të gjithësisë”, tha z. Hebibi.

Edhe drejtuesit shtetërorë, politikë e vendorë ua kanë uruar Bajramin besimtarëve. Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov i shkruan kryetarit të Bashkësisë Islame në vend dhe besimtarëve muslimanë se Kurban Bajrami është festë e solidaritetit dhe unitetit, me virtytet e theksuara njerëzore dhe festë në të cilën u zgjatet dora atyre që janë më pak të pasur, dhe në nevojë. Ai thekson bindjen se Bashkësia fetare islame edhe më tej do të vazhdojë të marrë pjesë në ndërtimin e besimit dhe mirëkuptimit në mes feve dhe bashkësive etnike në Republikën e Maqedonisë.

Ali Ahmeti , kryetar i BDI-së shkruan në një telegram urimi se janë pikërisht festat si kjo e sotmja që na rikthejnë dhe na përkujtojnë vlerat e gjirimit familjar dhe se kurban Bajramin e karaketerizon solidariteti, ndihma e ndërsjellë, shtrirja e dorës së miqësisë nëpërmjet fuqizimit të besimit tek Zoti dhe në vlerat njerëzore.

Kryetari i PDSH Menduh Thaçi uron besimtarët muslimanë që tek ta të mbizotërojë solidariteti, paqa, toleranca dhe respekti, duke bërë thirrje që të vazhdojnë të kultivojhen vlerat fetare dhe kombëtare për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për gjeneratat që vijnë.

Urime publike kanë bërë edhe kryetarët e partive më të vogla shqiptare, kryetarë komunash e drejtues të universiteteve.
XS
SM
MD
LG