Lidhje

Maqedoni, lirohen 13 nga 20 personat e ndaluar për vrasjen pesëfishe


Trembëdhjetë nga njëzet personat e ndaluar nga organet maqedonase të rendit lidhur me vrasjen e 12 prillit në rrethinat e Shkupit, janë lënë të lirë. Autoritetet maqedonase kërkojnë nga Interpoli që të ndihmojë për kapjen e dy personave të arratisur, të dyshuar si autorë të drejtpërdrejtë të vrasjeve. Ndërkohë, është njoftuar për identitetin e autorëve të dyshuar për vrasjet dhe ndihmësit e tyre.

Media maqedonase e afërt me pushtetin, ka nxjerrë emrat dhe fotografitë e personave të dyshuar për vrasjen e pesëfishte më 12 prill afër fshatit Smillkovcë. Organet e rendit, megjithatë as nuk kanë konfirmuar por dhe as i kanë mohuar pohimet e medias.

Bëhet fjalë për dy vellezër Afrim dhe Agim Ismailoviç, 32 dhe 33 vjeç nga Hasanbegu i Shkupit dhe Halil Demiri 27 vjeç, për të cilët thuhet se janë autorët e drejtpërdrejtë të vrasjeve. Dhe dy personat tjerë të akuzuar për ndihmë autorëve të vrasjes janë Fejzi Haziri dhe Rami Sejdi. Dy nga personat e akuzuar si autorë të drejtperdrejtë të vrasjes, ndodhen në arrati.

Trembëdhjetë nga njëzet personat e ndaluar janë lënë të lirë; shtatë të tjerëve u janë caktuar masa paraburgimi prej, 20 dhe 30 ditësh. Disa nga të arrestuarit janë dërguar në burgjet e Manastirit dhe Prilepit, në jug të Maqedonisë.

Avokati i njërit prej të dyshuarve për vrasjen thotë se klienti i tij është mbrojtur në heshtje, se ka qenë i lodhur dhe i ngarkuar psiqikisht.

Banorë të fshatit Brezë, në veri të Shkupit, të banuar nga shqiptarë, ndërkohë kanë njoftuar se pjesëtarë të policisë speciale kanë zbritur nga një helikopter dhe kanë bllokuar fshatin, me ngjasë në kërkim të personave të arratisur. Por nuk njoftohet për ndonjë incident.

Ambasadori amerikan Paul Wohlers ka thënë se po e ndjek nga afër procesin e arrestimeve dhe hetimeve ndërsa ka nënvizuar rëndësinë për procedura korrekte në mënyrë që çdokush që ta ketë bërë këtë vepër të tmerrshme, siç tha ai për vrasjen e pesëfishtë, të nxirret para drejtësisë.

Faktorët politikë e shoqërorë shqiptarë ndërkohë pothuajse vetëm nga disa e sotme kanë filluar të reagojnë duke e cilësuar operacionin e organeve të policisë si një përpjekje për të nënçmuar dhe njollosur shqiptarët. “Shqiptarët nuk kanë vrarë fëmijë as në luftë dhe as në paqe”, janë shprehur kështu disa parti dhe veteranë të ish-Ushtrisë Clirimtare Kombëtare.

Partitë më të vogla shqiptare kërkojnë që në hetime dhe në mbrojtjen e të akuzuarve të ftohen ekspertë amerikanë dhe të paanshëm.

Zhvillimet madje krahasohen nga komentatorët edhe me një rast të quajtur Vreshtat e Rashtakut kur gjashtë shtetas pakistanezë dhe një indian, qenë vrarë dhe akuzuar si terroristë që synonin sulme kundër diplomatëve perëndimorë në Maqedoni, por që këta të fundit injoruan pretendimet e organeve të atëhershme të rendit.

Ka opinione gjithashtu se pushteti i cili me çdo kusht dëshiron anëtarësimin e vendit në Nato, të përpiqet t’i dëshmojë Aleancës se Maqedonia është rrezikuar nga terrorizmi dhe radikalët islamikë dhe njëkohësisht po e lufton atë.

XS
SM
MD
LG