Lidhje

Maqedoni: Mandatet e reja shpërndahen mes kontestimeve

  • Isak Ramadani

Në Maqedoni, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve u dha certifikatat deputetëve të rinj të dalë nga zgjedhjet e 27 prillit, ndërkohë që mandatin e tyre duhet ta konfirmojë Parlamenti.

Lidhja Social Demokrate me opozitën e bashkuar maqedonase nuk erdhi në këtë ceremoni, ndërsa drejtuesit e saj nuk kanë ndryshuar mendjen: ata duan t’i kthejnë mandatet e 34 deputetëve për shkak të manipulimeve të shumta dhe vjedhjes së votave, sipas opozitës.

Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim nuk e fsheh kënaqësinë për fitoren e madhe, siç e quajnë zyrtarët e saj, në zgjedhjet e para dhjetë ditëve.

Xhevat Ademi, duke folur në emër të kolegëve të tij para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, tha se BDI-ja ka qenë partner korrekt dhe bashkëpunues i mirëfilltë që procesin zgjedhor e kaloi në një frymë konkurrence, demokratike dhe të drejtë. Ai i vlerëson këto zgjedhje si historike:

“BDI në këto zgjedhje vjen me numër rekord të mandateve: 19 deputetë nuk ka pasur asnjëherë. Prandaj ne me të drejtë i vlerësojmë këto si zgjedhjet më të sukesshme gjer më tani” tha Xhevat Ademi, deputet i BDI-së.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, i ka shkruar certifikatat e deputetëve shqiptarë dhe jomaqedonas edhe në gjuhët e tyre përkatëse, që ndodh për herë të parë dhe nënkryetari Subhi Jakupi e vlerëson vendimin e njëzëshëm të Komisionit:

Të gjithë ata kandidatë të cilët i përkasin etnisë shqiptare, qofshin ata të BDI-së, PDSH-së apo RDK-së, certifikatat i kanë të përgatitura në gjuhën maqedone dhe shkrimin e saj si dhe në gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj, tha Subhi Jakupi, KSHZ.

Liljana Popovska në emër të deputetëve të koalicionit të VRMO-së tha se vendimi i Lidhjes Social Demokrate jo vetëm që nuk është i drejtë sepse minon interesat e shtetit, por bie ndesh edhe me vullnetin e votuesve të saj të cilët ia kanë dhënë votën kësaj partie, për t’i përfaqësuar në Parlament.

Edhe Rilindja Demokratike Kombëtare ka vendosur që të mos e marrë mandatin e vetëm të një ligjvënësi dhe atë t’ia kthejë Parlamentit, ndërkohë që kërkon zgjedhje të reja të cilat do të menaxhoheshin nga një qeveri teknike.

Në ndarjen e certifikatave nuk ishte asnjë nga kryetarët e partive të mëdha, të cilët poashtu kanë fituar mandatin e ligjvënësit.

Grupet e punës së VMRO-së dhe të BDI-së janë duke biseduar mbi mundësinë e formimit të koalicionit të ri qeveritar, por zyrtarët e të dy partive nuk kanë dhënë asnjë hollësi mbi ecurinë e takimeve.

Kështuqë, gjithçka dëgjohet në opinionin publik bëhet mbi bazë të spekullimeve dhe sipas tyre VMRO-ja kërkon që fillimisht BDI-ja ta njohë presidentin e rizgjedhur Gjorgje Ivanov, kurse partia shqiptare ngul këmbë në zgjidhjen e shpejtë të çështjes së emrit të vendit dhe zhbllokimin e proceseve integruese. Qeveria e re duhet të miratohet deri në mes të muajit qershor.
XS
SM
MD
LG