Lidhje

Maqedoni: Opozita akuzon kryeministrin për korrupsion


Në Maqedoni, Lidhja Social Demokrate e opozitës, akuzon kryeministrin e vendit Nikolla Gruevski të jetë përfshirë në një skandal korrupsioni, për çka partia ka nxjerrë një audio-regjistrim ku thuhet se zoti Gruevski bisedon për marrjen e një shume të madhe parash si ryshfet nga një biznesmen serb për shitjen e një banke maqedonase.

Ndërkohë, kryeministri maqedonas i ka hedhur poshtë akuzat si manipulime dhe avokati i tij ka paralajmëruar se do të hedhë në gjyq drejtuesit të opozitës maqedonase.

Në një regjistrim telefonik, për çka opozita maqedonase thotë se është bisedë midis zotit Nikolla Gruevski dhe një ndërmjetësi për një çështje biznesi lidhur me bankën e Maqedonisë apo Makedonska Banka, diskutohet për shuma parash që do të mirreshin në dorë (kesh) si dhe në xhiro-llogari bankare.

Palët, përkatësisht ndërmjetësi dhe biznesmeni serb i njohur me emrin Jovica Stefanoviq - Nini bëjnë përpjekje për të rënë në ujdi lidhur me shumën e parave që do të dërgoheshin përmes bankës dhe të një pjese të madhe që do të jepej në dorë.

Kryetari i Lidhjes Social Demokrate (LSD) Zoran Zaev i cili foli për herë të parë të enjten në një miting të partisë për këtë çështje, thotë se bëhet fjalë për një shumë prej një milion e pesëqind mijë Eurosh.

Megjithatë, LSD nuk ka dhënë hollësi të tjera lidhur me burimin e informacionit, apo vendin ku është zhvilluar biseda me kryeministrin maqedonas Gruevski që është e regjisitruar në audio-kasetë.

Lidhja Social Demokrate pret nga prokuroria e përgjithshme të merret me rastin.
Ndërsa, VMRO-DPMNE, partia e kryeministrit Gruevski, e quan shpifje këtë akuzë.

Avokati i kryeministrit ka paralajmëruar se do ta padisë zotin Zaev në gjykatë për shpifje dhe se zoti Gruevski, sipas avokatit të tij, nuk ka aksione në bankën e përfolur nga Lidhja Social Demokrate dhe mjetet e informimit.

Vetë Nikolla Gruevski duke iu përgjigjur akuzës së opozitës, ka thënë në një miting, se opozita po bën shantazhe përmes montazheve, gënjeshtrave dhe manipulimeve. Kryeministri maqedonas ka shtuar se “LSD po bën veprime të njerëzve të dëshpëruar dhe se Zoran Zaev e di që ky është fundi i tij, prandaj sillet në këtë mënyrë”, sipas Gruevskit.

Ky zhvillim ndodh vetëm disa ditë para se në Maqedoni të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe balotazhi për zgjedhjet presidenciale.

Nga ana tjetër, drejtuesi opozitar maqedonas Zaev ka lënë të kuptohet se është kërcënuar nga njerëz të VMRO-së që të tërhiqet nga akuzat lidhur me këtë skandal, por se ai nuk do t’u nënshtrohet kërcënimeve dhe nënçmimeve.

Në regjistrim, zëri që mendohet të jetë i Nikolla Gruevskit nuk është shumë i pastër dhe ai flet shkurt, në dallim nga personi në anën tjetër të linjës.

Deri tash nuk ka pasur ndonjë lloj ekspertize të kësaj bisede telefonike të regjistruar për t’u dëshmuar besueshmëria e saj.

Nga prokuroria, ndërkohë, nuk ka patur ende komente.
XS
SM
MD
LG