Lidhje

KE thirrje opozitës maqedonase


Komisioni Evropian i bën thirrje opozitës maqedonase që t’i japë fund bojkotit të Parlamentit dhe të kërkojë zgjidhjen e problemeve brenda institucionit ligjvënës. Por, Lidhja Social Demokrate thotë se bojkotimi i Parlamentit dhe i zgjedhjeve të pritshme vendore është mënyra e vetme për rrëzimin e qeverisë, të cilën ajo e quan fashiste. Sherri midis dy partive më të mëdha rivale maqedonase plasi më 24 dhjetor gjatë një seance për miratimin e buxhetit, kur deputetë opozitarë u larguan me forcë nga salla e Parlamnetit. Ndërkohë, partitë shqiptare po përgatiten për zgjedhjet vendore.

Vendimi i opozitës maqedonase për bojkotimin e zgjedhjeve vendore të muajit mars nuk po hasë në mbështetjen e asnjërës prej partive shqiptare në Maqedoni, ndërkohë që mesazhet e Bashkimit Evropian për opozitën janë të qarta: që të mos bojkotojë zgjedhjet; ndërsa për drejtuesit politik: që t’u japin fund konfrontimeve politike.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Sebastian Barbanta u ka thënë mjeteve maqedonase të informimit se problemet duhet të zgjidhen me anë të bisedimeve brenda në Parlament me që vetëm kjo mënyrë e veprimit politik është në interes të qytetarëve, ndërkohë që ka theksuar nevojën për përjashtimin e dhunës. Zëdhënësi ka bërë të ditur qëndrimin e Brukselit kundër padëgjueshmërisë qytetare të paralajmëruar si përgjigje e Lidhjes Social Demokrate pas ngjarjeve të dhunshme në Parlament më 24 dhjetor.

Kryetari i Parlamentit Trajklo Veljanovski ka njoftuar se do të shkurtohet rroga për deputetët të cilët i bojkotojnë punimet e Parlamentit dhe ata do të marrin vetëm 30 përqind nga paga mujore, por kjo masë ndëshkuese nuk duket se do t’ua ndryshojë mendjen deputetëve opozitarë maqedonas për t’u kthyer në Parlament. Partia rivale VMRO-DPMNE e shikon vendimin e opozitës si një vazhdim i prishjes së imazhit të vendit.

Nga ana tjetër, partitë shqiptare po përgatiten për zgjedhjet vendore të 31 marsit dhe opozita shqiptare në Maqedoni as nuk dëshiron ta mendojë opsionin e bojkotimit. Patia Demokratike Shqiptare thotë nga ana tjetër se nuk është e intersuar për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi u ka thënë mjeteve të informimit se partia e tij është e përgatitur të presë zgjedhjet e rregullta parlamentare, me kusht që partia tjetër shqiptare në pushtet të jetë e përgjegjshme dhe t’i përmbushë premtimet para shqiptarëve për zgjedhje të drejta dhe të ndershme.

Bashkimi Demokratik për Integrim, ndërkaq, është angazhuar në përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë komunash, duke zhvilluar anketa të brendëshme me aktivistë dhe elektoratin e saj se kush nga kandidatët e mundëshëm ka më shumë mbështetje për të drejtuar komunat me shumicë shqiptare. BDI-ja shpreson se do të rikthejë, siç shprehen zyrtarë të lartë të saj, Tetovën, ku aktualisht është kryetar komune një kuadër i PDSH-së; ndërsa në Gostivar, sipas anketave publike, kryeson kryetari aktual i komunës, Rufi Osmani, drejtues i Rilindjes Demokratike Kombëtare.
XS
SM
MD
LG