Lidhje

Maqedoni, Prokurorja Janeva ndryshime në kabinet


Këshilli i Prokurorëve Publikë në Maqedoni ka bërë të ditur se prokurorja e posaçme Katica Janeva ka larguar dy prokurorë nga kabineti i saj. Këshilli i Prokurorëve paralajmëron se një komision treanëtarësh do të hetojë shkaqet e largimit të dy prokurorëve nga detyra. Dy prokuroret e larguara janë Marija Gjorevska dhe Lejla Kadriu. Ato nuk kanë bërë komente publike mbi vendimin e zonjës Janeva, ndërsa nga zyra e kësaj të fundit kanë sqaruar se “prokuroritë publike prej nga vijnë dy prokuroret ballafaqohen me mungesë kuadri dhe se Speciales i mjaftojnë vetëm 10 prokurorë”.

Ndërkohë, Petar Anevski, kryetar i Këshillit të Prokurorëve u ka tënë mjeteve të informimit se i ka kërkuar prokurores Janeva të sqarojë edhe çështjen se në ç’mënyrë i ka pranuar dhe arkivuar materialet nga Lidhja Social Demokrate më 30 dhjetor, që kanë të bëjnë me skandalin e përgjimeve.

Anevski ka shtuar se Këshilli ka kompetenca të kërkojë nga Janeva informacione. “Ne kërkojmë të dimë se sa lëndë janë pranuar, a është përpiluar procesverbal, sepse kur të duhet të asgjësohen procesverbalet, duhet të ketë një prani të njerëzve të caktuar” është shprehur Anevski.

Ndërkaq, opozita maqedonase, por dhe një pjesë e ekspertëve shikojnë si trysni të pushtetit ndaj prokurores së posame. Nga ana tjetër, Ministria e Rendit, në krye të së cilës është një kuadër i LSD-së, ka shtuar masat e sigurisë përreth ndërtesës së Prokurorisë speciale dhe për vetë anëtarët e saj, pas vlerësimeve se ata janë të kërcënuar.

Kjo prokurori pritet të hapë disa nga çështjet kryesore që burojnë nga skandali i përgjimeve. Në shumë prej audio-regjistrimeve të publikuara nga opozita dëgjohen zyrtarë të lartë qeveritarë, drejtuesë politikë, përfshirë, tashmë ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe personalitete të tjera të fushave të ndryshme, duke folur për manipulime zgjedhore, në media, biznese, etj. Por, nuk mendohet se prokuroria e posaçme do të hapë ndonjë prej lëndëve para zgjedhjeve të parakohshme, që janë parashikuar të mbahen më 24 prill.

XS
SM
MD
LG