Lidhje

Maqedoni: Protestojnë ish-të përndjekurit politikë shqiptarë


Ata kërkojnë zhdëmtimin e qindra njerëzve të persekutuar gjatë sistemit komunist

Ish-të burgosurit dhe të përndjekurit politikë shqiptarë në Maqedoni protestuan sot para ndërtesës së qeverisë në Shkup për të kërkuar zhdëmtimin e tyre. Ata kërkojnë një ligj me anë të të cilit do të bëhej zhdëmtimi i qindra personave të dëmtuar dhe të persekutuar gjatë sistemit komunist. Shoqata e ish-të burgosurve politikë shqiptarë në Maqedoni thotë se në të kundërtën, drejtësinë do ta kërkojë në Gjykatat ndërkombëtare.

Ish të burgosurit dhe të përndjekurit shqiptarë në Maqedoni vendosën të hidhen në protesta pas shumë përpjekjesh për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e tyre dhe për shkak të mosgatishmërisë së autoriteteve qeveritare për ta mbyllur këtë problem.
Nga shoqata e ish-të burgosurve shqiptarë vlerësojnë se rreth 24 mijë është numri i personave të burgosur apo të përndjekur shqiptarë gjatë sistemit komunist.

“Njerëzit të cilët sot protestojnë, dhe të cilët Ju i përkrahni, janë ata të cilët mbrojtën dinjitetin tonë kombëtar dhe asnjëherë nuk kërkuan të shpërblehen. Ne nuk kërkojmë as lëmoshë dhe as rehabilitim. Ne jemi krenarë për gjithçka çfarë kemi bërë. Ne kërkojmë që pushteti i sotëm, si trashëgimtar i atij të djeshmit, të na kompenzojë dëmin për zullumin që na është bërë. Ne nuk jemi pakicë. Ne jemi 24.000 shumëzuar për 30 barazi me 720.000. Secili shqiptar është i persekutuar. Është i mjerë ai që nuk e ka parasysh këtë argument. Qoftë në opozitë ose në pushtet”, tha Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së ish të burgosurve politikë shqiptarë në Maqedoni.

Në vitin 2002 është miratuar një ligj për zhdëmtimin e ish-të burgosurve politikë, por ai ligj, siç vlerësojnë shoqatat shqiptare, vlen vetëm për ish-të burgosurit maqedonas dhe jo për shqiptarët. Shoqata e ish të burgosurve politikë shqiptarë pret që së pari të miratohet ligji për rregullimin e statusit financiar të ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe pastaj për ish-të burgosurit dhe të përndjekurit politik shqiptarë.
Protestuesit shprehen të dëshpëruar me qëndrimin e partive politike shqiptare për sa i përket këtij problemi:

Diskriminimi nuk u bëhet vetëm ish të burgosurve por të gjithë shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës. Në këtë kuadër, duhet bashkarisht të protestojmë në mënyrën më demokratike. E drejta e jonë është që ne të jetojmë të lirë në tokat tona”, tha Hysni Shaqiri, ish-i përndjekur politik.

Maqedonët kanë marrë dëmshpërblim. Politkanët le të mendohen pak, se kështu nk është puna mirë”, thotë Dervish Dervishi, ish-i burgosur nga Kërçova.

Shoqata e ish të burgosurve politik shqiptarë i ka dorëzuar autoriteteve qeveritare një përmbajtje me propozime që do të ndihmonte për miratimin e një ligji për zhdëmtimin e tyre. Nëse autoritetet mbeten të shurdhëra ndaj kërkesave, ish-të burgosurit paralajmërojnë se do ta kërkojnë drejtësinë edhe në Strazburg. Autoritetet qeveritare nuk janë prononcuar në lidhje me protestën dhe kërkesat.
XS
SM
MD
LG