Lidhje

Maqedoni: Vazhdojnë tensionet brenda koalicionit qeveritar

  • Isak Ramadani

Partnerët qeveritarë VMRO-DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim nuk po mund të gjejnë një zgjidhje për krizën qeveritare

Në Maqedoni po vazhdon kriza qeveritare që prej para dy javësh dhe partnerët qeveritarë VMRO-DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim nuk po mund të gjejnë një zgjidhje. Secila parti, ndërkohë, merr vendime kundër vullnetit të partisë tjetër, siç është propozim-ligji për statusin e ish-pjesëtarëve të forcave qeveritare maqedonase, apo ndërrimi i tabelave të katër shkollave shqipe në Shkup.


Takimet midis dy partnerëve të koalicionit qeveritar në Maqedoni Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti janë të ralla; edhe kur ndodhin bëhen larg kamerave. Raportet midis dy partive në pushtet janë ftohur dhe kriza qeveritare nuk duket se po shkon drejtë një zgjidhjeje të shpejtë.

E gjithë kjo ndodh pas homazheve që ministri i Mbrojtjes Fatmir Besimi i shoqëruar nga oficerë të uniformuar u bëri luftëtarëve të rënë të UCK-së në fshatin Sllupçan të Kumanovës.

Drejtuesit dhe zyrtarë të partisë maqedonase VMRO kërkojnë ngritjen e masave disiplinore për oficerët dhe ushtarët të cilët morën pjesë në ceremoninë e Sllupçanit. Por, ministri Besimi i ka marrë ata në mbrojtje dhe siç njoftojnë burime brenda ministrisë dhe partisë shqiptare BDI, ai i ka anulluar procedurat disiplinore që të nënrenditur të tij në ministrinë e Mbrojtjes, kuadro të VMRO-së i kishin ngritur kundër oficerëve.

Ndërkohë, propozim-ligji për favorizimin e ish-pjeësëtarëve të forcave qeveritare maqedonase në konfliktin e vitit 2001, që ka acaruar gjendjen jo vetëm brenda koalicoinit qeveritar, tashmë ndodhet në procedurë parlamentare. Propozim ligji nuk përfshin ish-pjestarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të cilët prej vitesh presin zgidhjen e statusit të tyre social, siç e parashihte Marrëveshja e Ohrit.
Nëse propozim ligjin e mbështet Lidhja Social Demokrate maqedonase e opozitës, ai miratohet, por sipas komenteve të disa analistëve, partitë shqiptare mund të paraqesin qindra propozim-amandamente ligjore për ta bllokuar ligjin.

Nga ana tjetër, gjendja e krijuar midis partive VMRO dhe BDI komentohet nga një numër analistësh si e sajuar për interesa dhe marketing politik para elektoratit të tyre. Njohës rrethanash thonë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të pashmangshme sepse asnjëra nga partitë në pushtet nuk mund të bëjë lëshime, se ndryshe do të dënohej nga elektorati.

Në vazhdim të tensioneve në qeveri, komuna e Çairit në Shkup ka vendosur tabelat me emrat e rinjë të katër shkollave shqipe që deri dje mbanin emra maqedonas; por vendimi nuk është miratuar nga ministria e Arsimit, prej nga paralajmërohen masa ndëshkuese.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG