Lidhje

Policia maqedonase ndalon 120 emigrantë aziatikë


Policia maqedonase, në një aksion të zhvilluar të enjten në fshatin Vaksincë të Likovës, në veri të vendit, ndaloi 120 emigrantë aziatikë. Policia ka arrestuar edhe disa pronarë të shtëpive ku ishin strehuar emigrantët, nën dyshimet për trafik njerëzor. Një nga të arrestuarit, sipas autoriteteve policore, kërkohej prej disa kohësh për vrasje.

Një pjesë e emigrantëve, mësohet të kenë kërkuar strehim dhe ata do të dërgohen në qendrën për strehim të azil-kërkuesve në Shkup. Ndërkohë, një pjesë tjetër do të paraqiten para organeve hetuese për të dëshmuar lidhur me trajtimin e tyre gjatë qëndrimit ose mbajtjes nëpër shtëpitë ku ishin gjetur. Por, ndërkohë emigrantë të tjerë të cilët mbahen në paraburgim në Qendrën për strehim, kanë protestuar duke kërkuar lirimin e tyre. Avokati i popullit pritet t’i vizitojë ata.

Maqedonia duket se është bërë një qendër tranziti e emigrantëve, të cilët ikin nga zonat e konfliktit, ose për shkak të varfërisë në vendet e origjinës. Emigrantët nisen drejt Maqedonis nga Selaniku ku marrin rrugën me tren, duke kaluar ilegalisht kufirin. Gjatë qëndrimit në Maqedoni, sipas dëshmive të tyre, emigrantët bëhen objekt i një numër abuzimesh: plaçkitje, zhvatje parash në shumën prej disa qindra eurosh për t’i kaluar në Serbi, në rrugëtimin për në vendet e Evropës perëndimore, si destinacion i fundit. Së fundmi, ka pasur njoftime se për një bukë në Maqedoni ata është dashur të paguajnë 5 dollarë.

Ndërkohë, një numër refugjatësh kanë gjetur vdekjen nëpër hekurudhat e Maqedonisë, në rrethana të pasqaruara.

Sipas autoriteteve, grupe trafikantësh nga rajoni mendohet se janë të përfshira në tranzitin e refugjatëve përmes Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG