Lidhje

Zaev: Përgjime të zyrtarëve të BDI


Kryetari i Lidhjes Social Demokrate të opozitës në Maqedoni, Zoran Zaev, publikoi të martën disa biseda të përgjuara telefonike, për të cilat pretendohet se janë të zyrtarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, duke folur për përfitime lidhur me disa ndërtesa, për tenderë dhe çështje të tjera ku preken interesat e zyrtarëve të partisë shqiptare në pushtet.

Zoti Zaev u bëri thirrje “njerëzve të ndershëm” në BDI që të largohen nga kjo qeveri kriminale dhe të mbështesin një qeveri kalimtare”, siç u shpreh ai.

Kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev deri sot ka ruajtur një lloj balance me Bashkimin Demokratik për Integrim, për sa i përket bisedave të përgjuara telefonike, për të cilat drejtuesi opozitar pretendon se i ka me mijëra.

Në një konferencë për mjetet e informimit ai paraqiti biseda të përgjuara telefonike ku dëgjohen zyrtarë të lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe vetë kryeministri Gruevski, duke biseduar kryesisht për ndërtime pa leje që duhen prishur.

Zoran Zaev tha se audio-regjistrimet flasin mjaft për grupet e ngushta të interesit brenda BDI-së, që sipas tij, në shumë gjëra i ngjanë mënyrës së qeverisjes së grupeve të afërta me Gruevskin.

Zoti Zaev mendon se arësyet që BDI i duron nënçmimet në qeveri, nuk janë interesat e qytetarëve as të elektoratit, por pushteti.

Në një nga bisedat e publikuara kryetari i BDI-së Ali Ahmeti flet me drejtuesin e degës së partisë në Çair, Beqir Hasanin lidhur me shitjen e një objekti a ndërtese një biznesmeni, me çmim prej 1 mijë Euro për metër katror.

Pjesë nga regjistrimet:

AA: Me mund me ia nxjerr nja 1000 (Euro) për metër katror, bëhet mirë.

BH: Do të flas unë me të se ishte në Turqi... se ai ishte i interesuar.

AA: 1000, hiç mos pyet.

BH: OK, shef.

AA: Po munde t’ia hedhësh. Hidhja!

BH: U bë, shef.

AA: Ju bëhuni sikur e keni pak vështirë të më bindni mua, por më në fund...

BH: Do ia dalim!

AA: Do t’ia dalim, (qeshet)

Në një bisedë tjetër midis kryeministrit Gruevski dhe zotit Ali Ahmeti, kryeministri maqedonas dëgjohet duke i kërkuar partnerit të tij qeveritar që t’i ndihmojë për prishjen e një ndërtese në komunën e Çairit, të drejtuar nga një kuadër i BDI-së.

“Është ngritur panik”, thotë zoti Gruevski ndërsa i kujton zotit Ahmeti se ishin marrë vesh qysh në bisedimet për formimin e qeverisë se ndërtimet pa leje, pas afatit të përcaktuar me ligj, do të prisheshin.

Zyrtarët e BDI-së, sipas zotit Gruevski kishin reaguar se kjo mund të kishte pasoja politike për partinë. “Ne, vazhon ai, kemi prishur ndërtime pa leje nëpër komunat tona por kemi fituar tre cikle zgjedhore”.

Ndërkohë, zoti Ahmeti dëgjohet duke i thënë kryeministrit Gruevski se në parim ai është kundër ndërtimeve pa leje. “Ne nuk humbim asgjë, por duhet të menaxhohet që të mos ndodh ndonjë gjë”, dëgjohet zëri i Ali Ahmetit.

Opozita thotë se objekti për të cilin bisedojnë partnerët qeveritarë është një shtëpi përballë Ambasadës amerikane në Shkup.

Por, Bashkimi Demokratik për Integrim i përgënjeshtroi të gjitha akuzat e bëra të marten nga Lidhja Social Demokrate. Në një komunikatë me shkrim, BDI-ja i cilëson këto si “Akuza që mund ti gjesh vetëm në paralajmërimet që ai (Zoran Zaev) vetë ua bën përgjimeve dhe aspak në vetë përgjimet”.

Vetë fakti që biseda në mes të Kryetarit të Partisë dhe kryetarit të degës së Çairit për shitjen e pronës së BDI-së në Shkup (për të cilën do të paraqesim dëshmi) prezantohet si krim dhe kjo flet për tendencën e kësaj konference shtypi. BDI mbetet në qëndrimin që të publikohen të gjitha materialet që opozita disponon për BDI-në, por kërkon që të mos bëhen interpretime qëllimisht të gabuara për ta lajthitur opinionin. Nëse verifikohen akuzat e bëra, BDI-ja nuk do dalë në mbrojtje të asnjërit, por gjithashtu kërkon të publikohet nëse vërtetohet se akuzat janë bërë në bazë të nxjerrjes nga konteksti të bisedave private midis funksionarëve të Partisë”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

Drejtuesi opozitar Zoran Zaev, pas dështimit të bisedimeve në Bruksel ndërmjet katër përfaqësuesve të partive më të mëdha në Maqedoni ka thënë se do t’i japë mundësi përpjekejve për zgjidhjen e krizës politike deri në fund të muajit. Në të kundërt, partia e tij do të vazhdojë me protesta për ta rrëzuar qeverinë e kryeminsitrit Gruevski.

XS
SM
MD
LG