Lidhje

Maqedonia shpall gjendjen e jashtëzakonshme në kufijtë jugorë dhe veriorë

  • Isak Ramadani

Maqedonia shpalli sot gjendjen e jashtëzakonshme në kufijtë e saj jugorë dhe veriorë për shkak të shtimit të numrit të emigrantëve dhe refugjatëve. Ajo tha se masat do të përfshijnë aktivizimin e ushtrisë në përballjen me krizën në rritje, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve. Sipas kësaj agjencie, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Ivo Kotevski tha se zyrtarët presin që përfshirja e ushtrisë të rrisë sigurinë e qytetarëve në këto dy rajone dhe të lejojë një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj njerëzve që duan të aplikojnë për azil. Zoti Kotevski i tha agjencisë së lajmeve Reuters se pikëkalimet kufitare nuk janë mbyllur. Megjithatë, autoritetet mund të kenë marrë masa për të bllokuar rrugët e paligjshme që përdorin emigrantët dhe refugjatëve për kalimin e kufirit. Mbi njëmijë refugjatë presin në Greqi, në pikën kufitare Idomeni për të hyrë në Gjevgjeli, që më pas të vazhdojnë rrugën drejt Serbisë, për të arritur në shtetet e Bashkimit Evropian.

Qeveria e Maqedonisë dërgoi trupa shtesë pranë pikëkalimit kufitar në Gjevgjeli për të penguar, eventualisht, kalimet ilegale.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme Ivo Kotevski u tha mjeteve të informimit se vendimi i qeverisë ka për qëllim të pengojë çfarëdo problemesh serioze që mund të paraqiten ndaj popullatës së zonës por dhe të sigurojë një trajtim të përshtatshëm për personat, emigrantë ilegalë të cilët kërkojnë strehim.

Maqedonia është shndërruar në një zonë kalimtare të mijëra refugatëve, kryesisht sirianë, të cilët nga Idomeni në Greqi kalojnë në këmbë kufirin për të ardhur në Gjevgjeli, ku hipin në trena dhe vazhdojnë rrugën nëpër Serbi drejt Hungarisë.

Autoritetet maqedonase thonë se rreth 39 mijë refugjatë, kryesisht sirianë, janë regjistruar muajin e fundit, që paraqet dyfishin e numrit të një muaji më parë.

Zyrtarë të Agjensisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) para se të kuptonin për mbylljen e kufirit, u shprehën me habi pse nuk shikonin turma të refugjatëve, që zakonisht vijnë në këmbë nga kufiri grek.

Refugjatët presin radhën për t’u regjistruar tek autoritetet policore maqedonase; më pas marrin biletat e trenit.

Një tren me emigrantë u nis mëngjesin e së enjtes nga Gjevgjelia. Ata zbresin në Tabanoc, në kufirin me Serbinë dhe përsëri në këmbë kalojnë në Preshevë, rreth 4-5 km. për të marrë trenin drejt Hungarisë.

Refugjatët flasin për rrugën e mundimshme që deri në Gjevgjeli zgjatë njëzet ose tridhjetë ditë.

Halabxha është nga Alepo e Sirisë; ajo është nënë e dy fëmijëve. Me burrin, fëmijët dhe anëtarë të tjerë të familjes, ajo synon të shkojë në Gjermani. Këta refugjatë nuk flasin publikisht për trajtimin nga policitë e vendeve nëpër të cilat kalojnë, por vetëm një ditë më parë forcat maqedonase të rendit kanë përdorur shkopinj gome për të ruajtur kontrollin, në stacionin e trenave në Gjevgjeli.

Nebiu është nga Damasku dhe ai synon të shkojë në Belgjikë.

Ai thotë se Bashar Al Assad ka vrarë shumë njerëz, ndërsa vëren se askush nuk po i ndihmon popullit të Sirisë.

Ai thotë se ka nëvojë për punë dhe një jetë normale. “Nuk dua luftë, por një jetë të mirë për të gjithë njerëzit”, thotë ai.

Edhe një tjetër refugjat nga Alepo. Me katër fëmijët e tij dëshiron të shkojë në Gjermani. Thotë se është shofer dhe do të dëshironte të gjejë një punë në profesionin e tij.

Sait Hussein është gjashtëmbëdhjetë vjeç. Është nga Siria dhe udhëton i vetëm. Pjesa tjetër e familjes ndodhet në Turqi dhe ata bëhen gati ta bëjnë rrugën me anije drejt Evropës.

Në mesin e refugjatëve ka dhe shtetas të Bangladeshit, të cilët kërkojnë një jetë më të mirë në perëndim.

Ndërkohë, autoritetet vendore kanë lejuar tregtarët vendas që të ngrejnë një treg të improvizuar në platformën e trenave. Por çmimet që emigrantët nga Lindja e Mesme i paguajnë në këtë treg janë tre fish më të larta se në tregjet e zakonshme.

XS
SM
MD
LG