Lidhje

Marbella, qyteti i paprekur nga kriza në Spanjë


Marbella, qyteti i paprekur nga kriza në Spanjë
Marbella, qyteti i paprekur nga kriza në Spanjë

Ndërsa ngecja ekonomike e Spanjës shtohet, papunësia dhe niveli i borxhit rriten – një cep i vogël në gadishull po tregon se nuk ka shenja të rënies ekonomike. Në qytetin Marbella, paratë nga Rusia dhe super të pasurit e botës arabe vazhdojnë të vërshojnë në arkat e dyqaneve luksoze, jahteve dhe agjencive imobiliare.

Një shenjë suksesi – një ekspozitë e makinave luksoze në qendër të Marbellës.

Eshtë një pejsazh ndryshe nga sfidat ekonomike me të cilat përballet pjesa tjetër e Spanjës.

Ky brez bregdetar në Costa Del Sol, i njohur si Riviera Spanjolle, është pothuajse i rezeruar ekskluzivisht për shoqërinë e lartë.


Megjithë problemet e thella ekonomike në pjesën tjetër të Spanjës, Marbella ka mundur t’i shpëtojë zymtësisë dhe po shkëlqen në vetvete. Super të pasurit nga Rusia, Gjiri Persik dhe Lindja e Largët, që parkojnë jahtet e tyre aty dhe shpenzojnë shumë në dyqanet e firmave, po e ndihmojnë këtë zonë të bëjë përjashtim nga prirja ekonomike e pjesës tjetër të Spanjës.

Numri i njerëzve që kërkuan asistencë papunësie në Spanjë arriti më shumë se 4 milionë e 420 mijë sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Punës në nëntor. Kjo do të thotë se papunësia është 21.5 përqind, shifra më e lartë në Eurozonë.

Por në Marbella situata është ndryshe.

Dyqani i makinave luksoze Cohen & Cunild u hap në maj të këtij viti dhe ka disa nga makinat më të shtrenjta në botë.

Mitchel Cunild, bashkëpronar i dyqanit thotë se njerëzit vijnë në Puerto Banus nga e gjithë bota për të blerë makinat e fundit sportive.

"Megjithëse jemi në jug të Spanjës, koleksioni i rrallë i makinave që kemi, tërheq njerëz nga mbarë bota përfshi Lindjen e Mesme dhe Amerikën që vijnë për të pare makinat tona, çmimi i të cilave është nga 134 mijë në mbi 2 milionë e gjysmë”.

Përfaqësitë e firmave janë të kënaqura të plotësojnë kërkesat ekstravagante të klientëve të tyre.

"Shitën një SLR McLaren. Blerësi donte që pjesa e brendshme të vishej me lëkurë në ngjyrë floriri si dhe disa element të gdhendur”, thotë Cunild.

Autoritetet lokale për turizmin në Marbella thonë se qyteti është destinacioni i katërt më popullor në botë për firma luksoze pas Parisit Londrës dhe New York-ut.

Por një makinë e mirë nuk është asgjë pa një jaht luksoz. Dhe super të pasurit në Marbella janë përgatitur të derdhin paratë për të siguruar një vend në marinën e qytetit – edhe në se ky privilegj mund të kushtojë më shumë se 6 milion euro në vit.


Bill Thiem, drejtor i kompanisë Engel & Volkers Yachting thotë se butikët dhe restorantet e mira janë pjesë integrale e kërkesave të klientëve të tyre.

"Klientët tanë i tërheq Puerto Banus për shkak të dyqaneve, butikëve dhe restoranteve shumë të mira që kemi këtu. Ata mund të gjejnë vend për të parkuar jahtet e tyre këtu gjatë gjithë vitit me një klimë të mrekullueshme dhe të nisen që këtej për udhëtime në Afrikë apo diku tjetër gjatë bregut”.

Gjuetarët e pasurive të patundshme në Marbella kërkojnë gjithashtu standarte të larta.

Klientët e agjentes imobiliare Kristina Szekely i vënë rëndësi privatësisë.

Ata kërkojnë banesën më të mire dhe Marbella është vendi që mund t’ua plotësojë kërkesat.

"Tregu ka qëndruar i lartë pasi pronarët u rezistojnë presioneve të blerësve. Pse? Sepse ata janë në pozitë që u garanton një çmim të lartë, pasi kemi cilësinë më të mire, kemi arkitekturën më të mire dhe çdo gjë tjetër.

Porti i jahteve Puerto Banus në Marbella u ndërtua nga biznesmeni i njohur Jose Banus nga Madridi. Ai u përurua në vitin 1970 nga princi Rainier and Princesha Grace e Monacos dhe e ka ruajtur qysh atëherë elegancën.

Sot Puerto Banus e vazhdon këtë reputacion si këndi i lojrave për të pasurit. Dhe dyqanet janë aty për ta vërtetur këtë.

Shumat e mëdha të parave janë unike për Marbellan thotë Jose Luis Hernandez, kreu i biznesit të turizmin në bashkinë e qytetit.

"Tani po negociojmë një investim që sjell miliona euro vetëm nga bota arabe. Ky është rasti i vetëm në të gjithë vendin. Kemi gjithashtu disa kompani amerikane që mund të jenë të interesuara të investojnë në hoteleri këtu. Të gjitha këto e vënë qytetin në një situate ndryshe krahasuar me pjesën tjetër të Spanjës",
thotë ai.

Për 200,000 banorët e përhershëm të Marbellas zhurma e motorit të Bugatti Veyron është aq e zakonshme sa cicërimat e zogut. Dhe e ardhmja e këtij qyteti turistik që i ka bërë ballë recesionit vazhdon të duket e mirë edhe për 2012-ën.

XS
SM
MD
LG